Ilir Kulla
Nje shpjegim i detyruar per Dritan Goxhaj.
Do ta nis nga njohja me Tanin. Gjatë luftës së Kosovës, dikur nga marsi i 1999, më takoi të takohesha me Sabitin (Gecin), i cili përtej emrit që kishte si bashkëvendas dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit, kishte dhe emrin e një njeriu të ashpër që sidomos një pjesë e atyre afër LDK-së e kishin shumë frikë, me të drejtë ndoshta. Sabiti kishte qenë me paterica se ishte i plagosur dhe unë mendova se do kishte disa njerëz që do e shoqëronin. Në fakt, ishte vetëm një djalë i ri, i vogël e i hollë që e shoqëronte; ai ishte ky Dritani i sotshëm. Në atë moment nuk e njoha, vetëm se kuptova që ishte nga Shqipëria.
Disa ditë më vonë po flisja me Rramush Tahirin (i ndjeri), ish-Zv. Kryeministrin e Kosovës, i cili më kujtoi që Dritani ishte ai piloti ushtarak i vogël që, bashkë med pilotin tjetër, të ndjerin Sallaku, na kishte transportuar në spitalin ushtarak (zv.drejtor ishte Presidenti i sotshëm Begaj) në Tiranë kur ishte plagosur gazetari francez. Sheshin ku do ulej helikopteri e kishte hapur dhe garantuar me kallash në dorë i ndjeri Fatmir Haklaj, së bashku me Feriz Kernajën.
Më vonë u informova dhe mora vesh që Tan piloti ushtarak ishte djali i njërit nga pedagogët tanë në shkollën ushtarake, Dilaver Goxhajt, i cili kishte shkuar në Kosovë dhe ishte bërë zëvendësi i Shefit të Shtatit, Bislim Zyrapi, e bashkë me të kishin shkuar dhe disa oficerë të tjerë. Dritani, kur kishte lënë aviacionin ushtarak dhe kishte shkuar në UÇK, kishte marrë me vete dhe 3 oficerë të rinj, shokë të vetë dhe pilotë ushtarakë. Mosha bën të veten, ishin të rinj, lufta e kishte çuar adrenalinën patriotike në maksimum kudo që kishte shqiptarë.
Përfundon lufta. Qeveria e përkohshme vendoset në Prishtinë. Azem Syla, komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, bëhet Ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Përkohshme me Kryeministër Hashim Thaçin. Daja (Azemi), ministri nga Drenica, kishte marrë këshilltarë 2 ushtarakë nga Shqipëria: Dilaver Goxhaj-n dhe Spiro Butkën, që kishin qenë në UÇK. Për këtë arsye, familja e vogël e Dilaverit — bashkëshortja ushtarake edhe ajo, dhe mostra Rezi, studente IT — vendosen në Prishtinë. Ritakohem disa herë me Dritanin dhe disa nga shokët e tij të UÇK-së nga Kosova dhe Shqipëria për biseda të lira politike, po asgjë më shumë.
Fillon lufta në Preshevë. Unë punoja për agjencinë ANSA në Kosovë dhe shef kisha Carlo Bollino-n, i cili më thotë se duhet s’bën të shkojmë e të bëjmë një reportazh në luftën e UÇPMB-së. “Po”, i thashë. U lidha me dikë që më tha që 2 nga komandantët i njihja mirë: Tan Goxhaj-n dhe Agron Haradinaj-n (ndjesë pastë, vëllain e Nasimit). Epo, thashë, si rrihet këtij, do ta vrasin andej, thashë, djalë i vetëm. Nejse, nisemi me Carlon, kalojmë kufirin ku ushtarët amerikanë ulërinin “ku po shkoni”, “kush jeni” etj. etj… Diku na ndalon një njësi e UÇPMB-së. Ishte Dritan Zheqi, shoku i Tan Goxhaj-t, i cili ishte pak më andej, dhe Agroni, të cilët më njohën dhe ua bënë me dorë “leri të largohen” pasi më njihnin mirë. Me të drejtë Dritani kishte inat me Shqipërinë në atë kohë, pasi qeveria shqiptare me Metën kryeministër dhe Hajdaragën Ministër i kishin përzënë nga ushtria oficerët shqiptarë sepse kishin braktisur ushtrinë dhe kishin shkuar në UÇK.
Mbaron lufta në Preshevë dhe Qeveria e Përkohshme në Kosovë ishte tërhequr tashmë, ishte qeveria e UNMIK-ut dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë në shtëpinë e tyre në rrugën “Bardhyl”, ish-ushtarakë të papunë. Dritani rrinte në Prishtinë dhe një ditë të bukur kthehet në Tiranë; del lajmi se policia e Tiranës kishte arrestuar një terrorist nga Kosova. Bollino dhe Cani më thonë mua në redaksi: “shko ti dhe Artan Hoxha, se ti njeh Kosovën e Tani, policinë Tropojën”. Ç’të shoh te Drejtoria e Tiranës, “terroristi” ishte Tani. Sokol Bizhga e kishte ndaluar se “letrat” ia kishte bërë Sokol Baraj, ish-zv.drejtor i SHISH në atë kohë, ish-oficer policie dhe ai.
Unë, që i njihja intrigat e Kosovës, thashë do jetë përzier në ndonjë konflikt të brendshëm post-UÇK në Kosovë (se në atë kohë kishte shumë) dhe i paskan bërë ndonjë intrigë. Policia manipulon median e Tiranës dhe të nesërmen Tani ishte në burg si “terrorist” i rrezikshëm, në atë kohë i lidhur me Al-Kaedën, se Irani s’ishte në modë. Policia jonë kishte thirrur madje dhe oficerët e ambasadës USA për t’u treguar trofeun terrorist. Ata e panë, e njohën, qeshën dhe u larguan duke u thënë që ky mund të ketë lidhje me gjithçka, por jo me terrorizmin.
Takoj babain e vet, Dilaverin, për 1 kafe. I mërzitur më thotë: “Këtu, na persekutuan këta të Berishës si me qenë Serbë, se ne jemi nga jugu; e ju socialistët na persekutoni se jemi lebër, se jeni lidhur me grekët”. Helbete, Kryetar ishte Fatos Nano dhe Kryeministër një më malësor Jugu se Dilaveri (në fakt Dilaveri ishte nga Golemi i Gjirokastrës, Ilir Meta nga maja e Çepanit në Skrapar). Nejse, një vit më vonë, Tani që ishte arrestuar me shumë bujë, lirohet pa bujë fare. I kishin rënë të gjitha akuzat dhe, si t’ia bënin, e dënojnë se kishte braktisur ushtrinë si Oficer i aviacionit dhe kishte shkuar në UÇK. Natyrisht, i mërzitur, në 2002 bashkë me familjen shkojnë në Prishtinë ku disa ish-bashkëluftëtarë i ndihmojnë ekonomikisht me shtëpi e punë, e mbijetojnë. Rezarta mbaron studimet në Prishtinë.
Në 2005 ne socialistët kishim dalë në Opozitë dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë. Tani, bashkë me ta, si njeri asket me pak pretendime, hante bukë një herë në ditë, me shumë pak shokë dilte pak. Njeriu që e merrte më shumë të dilte isha unë, rrinte me mua kur kisha kohë. Më thotë: “më ndihmon dot se jemi të gjithë pa punë, motra ka mbaruar shkëlqyeshëm inxhinierinë dhe nuk ma marrin në punë”. E marr në venture, shkoj te zyra e Lulzim Bashës dhe i them vajza e kujt ishte Rezarta nga Gjirokastra. Luli më thotë: “urgjent, na duhen njerëz të rinj të përgatitur, aq më shumë që është vajza e Dilaverit”. Lulzim Basha në atë kohë, Ministër i Infrastrukturës, kishte ardhur nga Kosova. “E di”, më tha, “që janë nga Jugu, familje socialistësh, por janë patriotë”. Tani me PD-në në pushtet, të shkretët u bënë dhe socialistë.
Dy vjet më vonë i shkoj në dasmë motrës, Rezit, në Pezë Helmës dhe takoj dhe nënën e Dritanit, e cila më thotë: “O Ilir, më kanë ngelur dhe pak vite për pension dhe unë jam inxhiniere ushtarake kimike. Kam dëgjuar se po kërkojnë prapë kimistë në ushtri. Ti meqë je Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, a mund t’i thuash Gjeneralit Lad Qiriazi?”. I them Gjeneralit dhe me kënaqësi e merr në punë, aq më shumë që e njihte zonjën. Tashmë me 2 veta në punë e pak të sistemuar, familja ishte si më mirë. Jeta ishte modeste në periferi të Tiranës, por si çdo familje ish-ushtarakësh, ia dilnin.
Një vit më vonë Dritani mundohet të emigrojë në Holandë, rreth 1 vit. Me 4 gjuhë të huaja dhe me eksperiencë, ndoshta rregullohej. Nuk zgjat shumë, se nuk i prin fati sepse Dilaveri, Babai, sëmuret dhe ka nevojë për 4 Bypasse. Djali i vetëm kthehet të rrijë me familjen dhe prindërit. Ndërkohë, unë me hallet dhe punët e mia kisha krijuar familje dhe shiheshim e shihemi shumë rrallë, por do t’i shkoja për ndihmë Dritanit; shkojmë ta vizitojmë në spital. Mbaj mend që kam shkuar, më duket, me Prefektin e sotshëm, ish-Prokurorin e atëhershëm, mikun tim Shkëlqim Hajdari. E shoh Dilaverin, ishte keq, po do ja hidhte. Kishin ardhur dhe disa njerëz nga Kosova ta vizitonin.
Pijmë një kafe me Dritanin, i cili më thotë: “s’kam ç’të bëj tani, s’shkoj dot më askund, duhet të rrij se prindërit po bëhen të moshuar”. U përpoqa t’i gjej një punë te Casa Italia si përgjegjës Sigurie, ku vazhdoi ca kohë dhe pastaj u largua. Punoi ca kohë si shef sigurie tek Belle Air dhe pastaj Denion Ndrenika, gazetari ortodoks, mik i Dritanit nga Kosova, e merr të punojë te Siguria e Aviacionit Civil. Dritani, me karakterin e vështirë që kishte, se nuk i firmoste disa procedura aspak transparente Drejtorit të madh, partia këtë radhë, LSI, vendos ta largojë. Listat i kishte bërë Elona Guri, sekretare e rëndësishme në Parti; pasi Drejtoria i përkiste LSI-së, kishin vendosur ta hiqnin. I shkoj Elona Gurit dhe i them: “njeriun më asket dhe më të pakorruptueshëm keni bërë ndërmend të hiqni, si s’ju vjen turp”. “Jo”, më thotë Elona, “më kanë thënë që janë familje socialistësh, t’ja gjejnë ata një vend pune”. I thashë: “të kanë gënjyer, është thjesht një njeri fatkeq, pilot i mirëshkolluar, patriot e hallexhi”. Nejse, nuk ndryshoi. Pak më vonë menduan ekipi patronazhist ta nxirrte me LSI-në e ta hiqnin nga puna.
Ndërkohë kishte njohur një pedagoge e ishte martuar. Më merr një ditë në tel e me thotë: “duhet të të qeras se u bëra Baba me djalë”. Shkova e urova me kënaqësi. E pyes “ç’u bë për punë?”. “S’ka problem”, tha, “gruaja është pedagoge, vetë bëj ca përkthime, një shtëpi me qira e kemi marrë, s’kemi lekë të marrim dado, pak më ndihmon mami, merrem me rritjen e djalit”. Mu bë qejfi sinqerisht.
E takoj kur arrestohet Hashimi me Rexhën, Jakupin e të tjerë, ishte mërzitur shumë. Më tha “turp, ç’është kjo punë” e të tjera. Unë si oportunist i them “po shih punët e tua”. “Jo”, më thotë, “duhet t’i thuash Presidentit e të tjerëve të mbajnë qëndrime të forta”. E shoh që kërkonte dokumente, shkruante, jepte intervista kundër prokurorisë e Gjykatës dhe, ditën kur dënohet Sali Mustafa, mik i Dritanit, i godet me emër dhe mbiemër disa nga dëshmitarët fallco të gjykatës nga Shqipëria dhe Kosova. E marr në tel dhe i them: “o Tan, mos u merr me atë punë se gjykatë speciale në Kosovë e këtu po të marrin dhe po të këpusin në burg”.
E ashtu ndodhi. Një ditë të nxehtë vere, para 3 vitesh, më merr miku im Prof. Ermir Gjinishi e më thotë: “e morën në burg komandantin”. “Kë mor?”, i them. “Tanin”. Shkoj takoj prindërit e moshuar, të mërzitur shumë, gruan me fëmijën e vogël, miq nga Kosova dhe Maqedonia që më merrnin në tel. Ç’të bëja, i shkoj Erion Veliajt në zyrë sepse nëna e tij ushtarake kishte punuar me Babain e Dritanit në akademinë “Skënderbej”. Erioni merr në tel Ulsiun, Ministrin e Drejtësisë. “S’kam ç’bëj”, thotë Ulsiu, “Haga është sipër meje”. Shkoj në gjyq; kishin ardhur 6 veta nga gjykata e Hagës dhe 1 nga ambasada amerikane për ta ekstraduar në Hagë se kishte thënë emrat e Dëshmitarëve (jo se s’i dija dhe unë, po thjesht s’ma mbante). Shyqyr që gjykata e apelit nuk e ekstradoi, se do ishte akoma në burg.
Në këto kohë e kam parë që më bënte “konkurrencë” nëpër studio televizive si analist ushtarak, sepse e vërteta është që punon shumë dhe është goxha i përgatitur. Herë ja fut kot e herë jo, po tek e fundit si të gjithë ne që dalim nëpër banaqet televizive dhe marrim dhe ndonjë honorar. E shoh para ca kohësh që ishte bërë hero Tik-Toku se çfarë nuk i kishte thënë Fredi Belerit, i kishte thënë “ti je agjent i SHISH”.
Mbrëmë, teksa kthehesha nga Kosova, më nis një mik në WhatsApp kërkesat e Protestës me zërin dhe figurën e Dritanit. Kur mbërrij në Tiranë, shoh kundërpërgjigjen e Taulantit, shokut tim të vjetër socialist, që e përshkruante si agjent të Iranit. Në fakt, me jetën e Dritanit, kjo i mungonte! Se agjent të Izraelit i kishin thënë një herë para 15 vitesh, sepse shoqëronte një mikun tim ushtarak izraelit, Nir Shaul. I mungonte vetëm kjo e Iranit. Po mirë, e kuptueshme, në këtë tollovi që është krijuar gjithçka gjen vend e gjithçka mund të thuhet.
Tani kam nje pyetje retorike kush nga Ju po te kishte patur nje jete si ajo e Dritanit I shkolluar, jashte me 4 gjuhe te huaja dhe me kaq shume halle a do ishte sot ne proteste apo JO ?! Sa per mua une ja njoh mire mendjen ai s ka frike asnje lloj, pushteti, asnje lloj kercenimi, banda e banditet jo e jo te cdo lloji e me sa leke te duan, s ka miliarder ta kercenoje se eshte lloji i robit qe si do leket dhe lluksin, si asket qe eshte shko rri i vetem ne mal. Keshtu qe duke i vene nje “akuze” me shume nuk e dobesoni vetem i forconi. Njerez si Dritani merresh vesh me te mire se me te keqe s ja del dot kurre, se nuk jane oportuniste intelektuale si UNE/fb

















