Një vështrim i shpejtë mbi deklarimin e përkatësive fetare të Censusit 2023

Nga Justinian Topulli

Dje, më datën 28 Qershor 2024, INSTAT-i bëri deklarimin publik zyrtar të të dhënave paraprake për Censusin e 2023 (që e quan Cens, në dallim me emërtimin e mëparshëm!). Në këtë publikim, ndër të tjera u paraqit edhe përkatësia fetare, e cila në materialin përmbledhës nuk deklarohej në përqindje, por vetëm në shifra!

Ajo që të binte në sy, para se të flasim për rezultatet, ishte se të dhënat e 2023 nuk janë plotësisht të krahasueshme me ato të 2011, dhe këtu përfshihen ndryshimi i disa zërave, të cilët dallojnë nga një Census në tjetrin. Kështu, në 2011 kemi zërin ‘të krishterë të tjerë’, i cili nuk gjendet në 2023. Në Censusin e 2023 kemi zërin ‘nuk disponohet’, që i referohet mungesës së prezencës së pjesëtarëve të tjerë të familjes, për të cilët nuk kemi dëshmi për përkatësinë e tyre, zë ky, që nuk figuron në Censusin e 2011. Ndërkohë, nuk dimë se sa është shifra e atyre që kanë refuzuar të përfshihen në Censusin e 2023. Në Censusin e 2011 kemi edhe të dhënat e pavlefshme, të cilat me shumë gjasa gjatë Censusit të 2023 janë eliminuar, për shkak të regjistrimit digjital.

Në këto kushte, disa nga të dhënat janë të pakrahasueshme mes dy Censuseve, dhe kjo kuptohet edhe më qartë në disa prej shifrave që jepen në të, ku mund të kemi përfshirje të njërës kategori tek tjetra. Kështu që kjo është një mangësi problematike e Censusit.

Nëse i hedhim një vështrim përkatësive fetare të deklaruara sipas këtij Censusi dhe e krahasojmë me të dhënat e atij të 2011, do të vëmë re luhatje të habitshme të pajustifikueshme logjikisht. Kështu, duket qartë se rënien më të madhe e paskan pasur myslimanët me mbi 485 mijë vetë, që rezulton të jetë 30.6% më pak sesa popullsia myslimane e deklaruar e 2011!

Ndërkohë, edhe nëse mund të themi se shtimi i bektashinjve ka lidhje me deklarimin e tyre si myslimanë në 2011, në dallim me 2023, ku e kanë specifikuar më qartë përkatësinë, diferenca e krijuar prej 57 mijë vetash, nuk e justifikon këtë rënie kaq të madhe të myslimanëve në rang vendi, duke rënë me 10.84%!

Ndërsa katolikët, edhe pse kanë një rënie prej 28.26 % krahasuar me 2011, në rang vendi kanë një rënie me vetëm me 2.72%.

Sipas këtyre të dhënave, ortodoksët kanë rënien më të vogël, me 8.12%, krahasuar me 2011, por në tërësi ata kanë një ngritje të lehtë 0.47% në rang vendi, krahasuar me 2011.

Habia më e madhe që vështirë t’i gjesh një justifikim logjik, është se numri i atyre që deklarohen si besimtarë të papërcaktuar është dyfishuar e më tej, nga 153 mijë në 2011, në 332 mijë në 2023!

Po kështu, edhe numri i ateistëve është shtuar me 21.88%. Ndërkohë, numri i atyre që nuk preferojnë të deklarohen, edhe pse ka rënë, përsëri përbën 10.17 % të popullsisë së deklaruar të 2023.

Është e habitshme sesi në anketimet e shumta që janë bërë ndër vite, nga qendra dhe institucione të ndryshme të huaja dhe vendase, mes tyre edhe vetë INSTAT-i, numri i atyre që deklarohen si besimtarë të papërcaktuar apo refuzojnë të përgjigjen, është shumë i vogël, madje edhe inekzistent, ndërsa në Census, ai numër rritet në mënyrë të frikshme!

Por e habitshme është edhe rritja e numrit të ungjillorëve, të cilët nëse i bashkojmë me të krishterët e tjerë të deklaruar në 2011, shkojnë në 5716, ndërkohë që në 2023, vetëm ata shkojnë në 9658!

Ndërkohë, tek “besimtarë të tjerë” mund të jenë futur të krishterët joungjillorë, bashkë me “fe të tjera”, numri i të cilëve shkon në 3670 vetë.

Në një pamje të përgjithshme del se rënien më të madhe e kanë myslimanët, të pasuar nga katolikët, ndërkohë që ka rritje të çuditshme të besimtarëve të papërcaktuar, të ateistëve dhe protestantëve!

Nëse emigracioni është faktori kryesor i rënies së popullsisë, atëherë rënia duhet të ishte deri diku e ekuilibruar në shifra për të gjitha përkatësitë, ndërkohë që kemi rritje të habitshme të disave prej tyre!

A thua vallë nga ky vend paskan emigruar më së shumti myslimanët?! A thua vallë qenkan shumica myslimanë, ata që paskan dezertuar nga Islami, duke shtuar të papërcaktuarit dhe ateistët?!

Për një analizë më të detajuar, për të kuptuar dinamikën e plotë të këtij ndryshimi apo pasaktësie, duhen të dhënat e plota dhe të detajuara, të cilat për të të ardhur keq, nuk mund t’i kemi. Duhet të presim deri në Dhjetor të 2025, sipas deklarimit të INSTAT-it, për të pasur publike vetëm të dhënat e Anketimit Pas Censusit, me të cilat mund të analizohet diçka.

Ndërkohë, deri në një shpjegim të pranueshëm logjik dhe provave për këtë, kemi gjithë të drejtën e Zotit të dyshojmë se këto të dhëna janë të pasakta, dhe mund të kenë ardhur si rezultat i zbatimit të mangët në terren të kritereve të mbledhjes së të dhënave, për të cilat ka dhe dëshmi, por edhe nga ndonjë ndërhyrje e mundshme e qëllimshme nga ata që kanë përpunuar dhe deklaruar të dhënat.

Më poshtë, keni një tabelë përmbledhëse dhe krahasuese mes Censuseve të 2011 dhe 2023./gazetaimpakt

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne