Ilir Meta, President i PL-së, i cili prej një viti ndodhet në paraburgim me urdhër të SPAK ka kërkuar shuarjen e masës së sigurisë.
Sipas gazetares së News24, Klodiana Lala, kërkesa e Metës vjen një vit nga dita kur u arrestua.
Ndaj Metës SPAK ka ngritur një seri akuzash, ndërsa dosja ka kaluar për gjykim në GJKKO.
Në kërkesën e depozituar për shuarjen e masës së sigurisë, Meta, përmes mbrojtësve të tij ligjorë, evidenton faktin se ka 1 vit që mbahet në paraburgim, bazuar në kallëzimin e bërë nga Romeo Kara.
Ilir Meta është arrestuar në 21 tetor të vitit të kaluar, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
E njëjta procedurë u ndoq edhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, nënën e kësaj të fundit, Fatime Kryemadhi, si dhe për dy bashkëpunëtorët e çiftit Ema Çoku dhe Piro Xhixho. Këtij të fundit, SPAK i komunikoi akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa Ema Çokut “pastrim parash”.
Ilir Metës iu komunikuan zyrtarisht akuzat në muajin maj, kur dhe u mor i pandehur./pamfleti

















