Njihuni me tre muslimanet që e kanë shndërruar kreativitetin e tyre në pasion

Çdokush e ka një pasion në jetë.  Bëhet fjalë për ndonjë aktivitet apo veprimtari që dikush e bën për t’u vetë plotësuar, frymëzuar apo thjeshtë për të ecur përpara. Mund të jetë diçka e njëjtë ose ndryshe nga të tjerët. Mund të jetë art, shkencë, teknologji apo sport. Sipas një përkufizimi të përgjithshëm, pasioni cilësohet si një dëshirë e madhe për diçka. Dhe disa e kanë fatin të kenë si profesion pasionin e tyre.

”L’Angolo Della Festa” – (Këndi i festave)

Jurida Bani, ose ndryshe ish-medresistja durrsake e cila drejton aktivitetin e saj “L’angolo della festa (Këndi i festave)” për mëse pesë vitesh. Në 2003 ajo u shpërngul në Itali ku jeta i kishte përgatitur surpriza të reja. Sot, përveçse sipërmarrëse e suksesshme ajo është edhe një nënë shembullore e tre djemve të mrekullueshëm. Me ëmbëlsinë që e karakterizon në çdo fjalë, Jurida rrëfen për Muslimania.al mbi biznesin e saj.

“Ideja për të nisur një aktivitet timin lindi para 5 viteve si një nevojë për të sjellë diçka ndryshe, diçka që ishte ideuar nga unë dhe më përkiste mua. Dëshira ime ishte aq e madhe saqë isha e gatshme dhe e vendosur për të kapërcyer çdo vështirësi e pengesë që do hasja rrugës.”

Mbështetja më e madhe ka qenë bashkëshorti i saj i cili jo vetëm e ka ndihmuar në ketë nismë por ka qenë krahu i djathtë për të realizuar çdo ide që Jurida kishte. Duke vijuar më tej rrëfimin e saj,  ajo shton se ”nuk mund të mos lë pa përmendur dhe rolin e djemve të mi. Ata më shoqërojnë kudo. Jo rrallëhere konsultohem me klientët në prani të tyre. Ndonëse kjo ka pengesat e veta, të qënit me ta në çdo moment më fal një qetësi të pa masë.”

Besimi, të cilin Jurida e fitoi që në moshë të vogël ka luajtur një rol themelor edhe në nismën e saj. Besimi në Zot ka bërë që çdo gjë në jetë ajo ta arrijë me një zemër e cila shpreson tek lehtësimi dhe Shpërblimi i Tij. Roli model i besimtareve të hershme si Hadixheja r.a. e cila ishte një grua e suksesshme në çdo aspekt (familiar, personalitet dhe biznes) gjithashtu ka shërbyer si një frymëzim për të.

“Besimi është dhuratë prej Zotit të gjithësisë dhe si i tillë ka një ndikim të madh në jetën e çdo besimtari. Besimi kthehet në guxim për të filluar, në mbështetje për çdo vazhdim dhe në ngritje nëse rrëzohesh.Kjo dhuratë e bukur më erdhi prej Zotit në periudhën më të vështirë të jetës sime: atë të humbjes së njeriut më të dashur, babait tim, kur isha vetëm 9 vjeçe. Besimi ishte dora që më ngriti të kapërcej atë sprovë e shumë të tjera gjatë jetës,” -shprehet ajo. Pjesa më e bukur e punës së saj është fakti se gjendet mes festash gjatë gjithë kohës. Ndaj përvec frutit të punës ajo lumturon me festat e shumë njerëzve të cilët i besojnë duarve të Juridës në ditën e gëzimeve të tyre.

Quilling  Art në Materie – Vajada

Quilling është arti i të qepurit apo të dekoruarit me filigranë që është një lloj fije e hollë zakonisht e përbërë nga ari ose argjendi. Një lloj arti që kërkon përqendrim, përpikmëri dhe durim të madh. Vajada Keçi Manjani ka disa vite që merret me quilling, që shndërruar tashmë në një pasion për të.

E pyetur nga Muslimania.al se si nisi biznesi i saj aktual i Quilling dhe si ndihet për këtë nismë, ajo përgjigjet në këtë mënyrë:

“Kisha nevojë jo vetëm të shprehja kreativitetin tim por edhe të derdhja të gjitha energjitë e mia të punës dhe njohurive ekonomike.

Fillimisht aktivitetin e nisa me prodhimin artizanal të sapunave handmade, por gjatë rrugës hasa vështirësi në profitin maksimal të këtij aktiviteti në Itali për shkak të normativave ligjore mbi kujdesin teknik dhe kimik të proçesit të prodhimit. Më vonë, duke kërkuar dhe analizuar shumë mundësi në Internet, hasa në disa krijime të cilat më bënë për vete që me herën e parë. Ishin disa krijime të mrekullueshme, teknika e së cilës quhet Quilling. I thash vetes se duhet të veproja menjëherë, nuk mund të prisja për një moment më të përshtatshëm, pasi entuziazmi mund të shuhej. Ndaj vendosa të marr këtë nisëm. Porosita materialet e duhura për fillimin e aktivitetit të cilat m’u siguruan që të nesërmen dhe gjithçka mori jetë!

Punimet e mia të para si autodidakte patën të njëjtin rezultat tek miqtë e mi siç patën dhe tek unë: dashuri dhe entuziazëm. Nisa të aplikoja në këtë projekt të gjitha njohuritë e mia mbi marketingun dhe ekonominë. Përdorimi i mjeteve të promovimit online, si faqja në Facebook, hapja e dyqanit online, bëri të mundur të kisha një vitrinë timen dhe një kontakt të drejtëpërdrejtë me klientet e mia.  Çelësi kryesor në aktivitetin tim i cili më dhuroi shumë kurajo ishte: ” Nëse punon, klientela do të vijë”, dhe realisht falë Zotit, klientët erdhën. Puna kreative ishte një sfidë reale edhe për mua, sepse sado që dashuroja një krijimtari  dyshoja në vetvete në do isha e aftë ta bëja atë duke mos patur një formim përkatës. Forca për të provuar, përgjigja pozitive dhe e vazhdueshme e klienteve të mia, më dhanë kurajo që të përmirësohesha çdo ditë e më shumë. Shpeshherë nuk e besoja as vetë se isha unë ajo që kisha arritur të realizoja atë vepër të tillë. (MashaaAllah-meritë e Zotit).”

Mesazhi që Vajada i jep çdokujt që është në mëdyshje apo ka frikë të marrë iniciativa të tilla është mbi të gjitha se duhet t’i japim kurajo vetvetes dhe të jemi të parët që besojmë në të dhe nëse kemi një intuitë mbi një aftësi të caktuar, gjithashtu duhet të kemi shkathtësinë e duhur për ta kapur situatën dhe për ta shfrytëzuar në favorin tonë.

Vizioni dhe planet e ardhshme të Vajadës, nuk kufizohen vetëm në punën kreative të Quilling, por kjo kohë po i shërben asaj më së miri për të zbuluar nga vetvetja aftësi  të cilat as nuk kishte menduar se i posedonte.

Art-Dekor-Fantazi FLO

Flora Kacmoli Allaisufi ka gati 6 vjet që merret me punime dore me materiale të llojllojshme si dru, gurë, tekstil, xham etj. Punimet e saj kanë pasur sukses jo vetëm në Durrës. Në ekspozitën “Jepi ngjyrë jetës tënde” që u zhvillua nga ”Shoqata Gruaja”, ajo mori pjesë me punimet e saj handmade.

“Ishte kënaqësi tek shihja një interesim të madh nga të pranishmet, por ishte dhe një eksperiencë e bukur qe ia vlen të përsëritet. Falënderoj pafund të madhin Zot për çdo arritje që më jep, më pas një falenderim i madh i takon Shoqatës Gruaja, për mundësinë që me dha duke me bërë pjesë e këtij aktiviteti. “shprehet ajo.

Ajo që i karakterizon mbi të gjitha punimet e saj është personalizimi që nderthur punën artizanale me personin për të cilin e përgatit punimin, gjë që i shndërron ato në vepra unike.

/Muslimania.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne