“Nuk e di ku e kam djalin”, denoncimi i xhaxhait të dëshmorit Ibrahim Basha

Dhjetra prindër të të rinjve të arrestuar në protestat e ditëve të fundit, mes të cilëve edhe xhaxhai i “Dëshmorit të Atdheut”, Ibrahim Basha, kërkojnë fëmijët nga njëri komisariat në tjetrin, pa marrë asnjë informacion për fatin e tyre.

Prindërit akuzojnë policinë për arrestime të paligjshme, raporton BIRN.

Emin Basha, babai i një 18 vjeçari që u arrestua nga policia të enjten, priti gjithashtu më kot para derës së gjykatës, pasi i biri nuk u paraqit për masë.

Basha është xhaxhai i Dëshmorit të Atdheut, Ibrahim Basha- punonjësi i policisë që u vra në vitin 2015 gjatë një operacioni në Lazarat. Ai mohon kategorikisht akuzat për të birin.

“Nuk kanë shanse fëmijët e mi, me dalë me gjujt në gurë policinë, as me sha policinë, asnjë gjo, se s’kanë pse. Se shajnë veten e vet, se janë fëmijët e vëllait tim ata që janë policë,” tha Basha i revoltuar.

Basha tha se policia i kishte ndaluar të dy djemtë e tij, njëri prej të cilëve i mitur, i cili ishte liruar po atë natë. Ai thotë se fëmijët po shkonin në ditëlindjen e një shoku dhe se asnjëri prej tyre nuk kishte qenë në protestë. Ai ankohet gjithashtu se policia po ndalon të pafajshëm, në vend të atyre që kanë kryer krime.

“Të nderuar policë! Mos u bëni vegla të pushtetit, por jini Policia e Shtetit edhe shërbejini shtetit”, tha ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne