Nuk ka rritje të çmimit të biletës, transporti urban në Tiranë drejt subvencionit 12 lekë për biletë për shtimin e kostove

Operatorët e transportit urban kryeqytetas, për shkak të shtimit të kostove nga karburanti dhe pagat e punonjësve, kanë përsëritur vazhdimisht kërkesën për dyfishimin e çmimit të biletës nga 40 lekë në 80 lekë.

Por Bashkia e Tiranës ka zgjedhur ta subvencionojë rritjen e munguar të çmimit të biletës dhe të shtojë vlerën e kompensimit për abonenë e studentëve. Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban Qytetas, Kostandin Foni, tha për Monitor se janë zhvilluar një sërë takimesh me nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, teksa pritet që formula për përllogaritjen e subvencionit të paraqitet nëpërmjet një draft projektvendimi.

Mbështetur në llogaritjen e shpenzimeve dhe sasinë e shitjes së biletave nga secili operator do të llogaritet edhe shuma e dhënies së subvencionimit që do të jetë e përmuajshme.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas parashikohet që kompensimi të jetë 12 lekë për çdo biletë të shitur. Po ashtu për shpërndarjen e aboneve falas për studentët nga muaji tetor deri në qershor, Bashkia e Tiranës kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone.

Nisma e Bashkisë së Tiranës “Abone falas për studentët” ka nisur zbatimin nga 1 nëntori 2022. Për studentët e pajisur me kartë studenti për të gjitha linjat, në transportin qytetas në bashkinë e Tiranës” është përcaktuar dhe mënyra e kompensimit, bazuar në vendimin e Bashkisë së Tiranës, pra kompensimi për 600 lekë/abone e shitur.

Me ndryshimet për dhënien e kompensimet operatorët pritet të përfitojnë 1,600 lekë kompensim, sa çmimi i abonosë së përgjithshme. Pra mund të ketë një rritje të subvencionimit për abonenë e studentëve prej 1,6 herë. Në muaj për të gjithë operatorët shpërndahen 22,000 -23,000 abone falas për studentët, për periudhën e vitit akademik që nis nga muaji tetori dhe përfundon në qershor.

Kompanitë kanë ngritur disa herë shqetësimin se për secilin operator në Tiranë shitjet e biletave ranë 37% nga shpërndarja e aboneve falas. Në tetor 2023, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në një letër drejtuar bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit ku u kërkohej rimbursimi i plotë në vlerën e 1,600 lekë të aboneve të studentëve që shpërndahen falas, pasi dhënia e tyre falas rrezikonte falimentimin e 11 kompani të transportit urban për 16 linja.

Transporti publik i Tiranës vijon të jetë në gjendje të rënduar financiare për shkak të rënies së numrit të pasagjerëve dhe shtimit të kostove nga karburanti, mirëmbajtja dhe rritja e pagave e shoferëve dhe faturinove.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni tha për “Monitor” se përgjatë vitit numri i pasagjerëve në linjat urbane vijon të jetë me rënie 35%, ndërsa në muajt e verës ka 50% më pak pasagjerë.

Sipas tij gjithashtu kostot e mirëmbajtjes për flotën e autobusëve janë dyfishuar për secilin operator nga nisja e luftës në Ukrainë dhe deri tani. Gjithashtu janë dyfishuar edhe rritjet e kostove për pagat e personelit. Paga mesatare e një shoferi ka arritur 90 mijë në muaj, ndërsa e një faturino75 mijë në muaj.

“Për shkak të vështirësive financiare operatorët e kanë të pamundur të mbijetojnë apo dhe më tej të përmirësojnë shërbimin. Ndërsa shtimi i flotës së mjeteve është kosto e shtuar, kur numri i pasagjerëve është me rënie”, pohon ai.

Në Tiranë janë 12 operatorë të licencuar që operojnë në 16 linja.Shoqata paralajmëron se në rast se nuk arrin të miratohet formula për dhënien e kompensimit brenda muajit shtator, atëherë të gjithë operatorët e transportit publik qytetas rrezikojnë të ndërpresin shërbimin./Monitor

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne