Shtrëngohen kushtet për kredi për shtëpi, “skaner” huave për banesa të dyta

Dyert e bankave po frekuentohen më shumë nga qytetarët dhe bizneset vitet e fundit, kur vendosin të blejnë pasuri të paluajtshme. Për shkak të çmimeve të larta të apartamenteve për banim, apo zyrave për biznes, burimi kryesor i financimit është kredia, që vitet e fundit po shtohet ndjeshëm për këtë sektor. Rreth 38% e kredisë së dhënë nga bankat nga janari deri në qershor ishte për pasuri të paluajtshme, me rritje të fortë në raport me vjet.

“Në fund të gjashtëmujorit, teprica e kredisë për këtë segment shënoi vlerën 180 miliardë lekë, duke u rritur me 7% dhe 13% në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë”, thotë Banka. Por, kredidhënia për pasuri të paluajtshme do të kufizohet për shkak të ekspozimit të madh që bankat kanë ndaj këtij sektori. Bankat kanë nisur të raportojnë se sa është ekspozimi i tyre në kredidhënie ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme, pra sa është totali i kredisë së dhënë për ekonominë dhe sa prej saj i takon sektorit të pasurive të patundshme.

Të dhënat po analizohen nga Banka e Shqipërisë dhe do të mund të përdoren për të vlerësuar nëse ky ekspozim paraqet rrezik për rritjen e kredive me probleme. Pas kësaj faze, nëse do të jetë e nevojshme, të dhënat do të mund të përdoren nga Banka e Shqipërisë për të caktuar tavane për masën e kredisë që do mund të japin bankat për blerje pasurie të patundshme. Për shembull, nëse një bankë financon deri në 80% blerjen e një banese, në rast rreziku ky financim mund të kufizohet edhe më poshtë në 60 apo 70%.

Nga analizat që Banka aktualisht po bën mund të ketë edhe masa shtesë në forcimin e kushteve të kreditimit për shtëpitë e dyta ose më shumë.  Vëmendje e shtuar do të jetë edhe tek aftësia paguese, pra për të vlerësuar nëse të ardhurat e kredi marrësit mjaftojnë për të shlyer kredinë, dhe rreziku për tu kthyer në kredi marrës të keq. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 7-mujorin janar-korrik, vetëm për blerje apartamentesh u morën nga bankat plotë 60,6 miliardë lekë kredi. Kjo shumë është sa 28,7% e totalit të huasë së re të dhënë në janar-korrik./tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne