Opinion

Nuk kemi parë gjë akoma apo kemi parë e dëgjuar më shumë se ç’duhet?

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

“Batutaxhiu” më i madh ndër politikanët, që na ka qëlluar të jetë dhe njëkohësisht kryeministër do të mbahet mend për shume shprehje, mes të cilave më e preferuar prej tij është: “S’keni parë gjë akoma”. Fillimisht kjo shprehje u mor si një kërcënim për opozitën, për vetë kontekstin në të cilin u deklarua në parlament. Për ta bërë një shprehje më përgjithësuese, kryeministri vendosi ta zgjeroj dhe shpeshtoj përdorimin e kësaj shprehje. Në darka, në dreka, në parlament në FB, tek Cicërimat etj. Pavarësisht kësaj dëshire të shfrenuar të kryeministrit, që mesa duket e ka si terapi shëruese, përdorimin e shprehjes: “S’keni parë gjë akoma”, një pyetje shumë e thjeshtë të shkon në mendje

Vërtet nuk kemi parë gjë akoma, apo kemi parë më shumë se ç’duhet?

Nëse shohim një fëmijë që tërhiqet zvarrë dhe nënën e tij që rrihet në mes të rrugës, nga një qenie shtazore që quhet gabimisht burrë, nuk ka mbetur shumë për të parë. Të trajtohet femra si një objekt seksi, shërbimesh “mikpritje”, masazhotore e shefit dhe një krijesë e lindur dhe e destinuar vetëm për krevat, mbase nuk kemi parë asgjë akoma.

Kur grabitet banka, qytetari, biznesi, shtëpia ditën për diell, vriten njerëz si në filmat wetsern, ndoshat nuk kemi parë gjë akoma. Kjo pasi mund të shohim edhe më shumë të vrarë, nëse vazhdojmë në këtë rrugë.

Kur shkollimi kufizohet në një dashnore, sallore në oborrin e gjimnazit dhe 9 vjeçares me celular dhe kufje në vesh, ndoshta nuk kemi parë gjë akoma. Nëse shkolla si institucion është kthyer në arenën e boksit, përdorimit të drogës armëve të ftohta dhe të ngrohta, kemi parë shumë, madje boll shume për tërë jetën.

Shkon në urgjencën e spitalit dhe të ulin në një karrige metali, sepse ke probleme me zemrën dhe pret 20 minuta të të vendosin aparatin e tensionit, nuk ka mbetur shumë për të parë e dëgjuar. Kur mjeku kërkon para përpara se të filloj operacionin, mbase nuk kemi parë gjë akoma. Fare mirë doktori mund “të harroj” se ka operacion, shkon në klinikën e tij private dhe t’i endesh kafe më kafe, për ta kërkuar. Edhe nëse të thonë se kanë mbaruar ilaçet, kjo hyn në kategorinë “nuk keni parë gjë akoma”, sepse mund të ndodh që spitali të mbyllet, sikundër deklaroi ish-ministri, duke na bërë thirrje të mos sëmureshim në fundjavë.

Nëse nuk gjen punë (pavarësisht se punë ka sa të duash) dhe nuk me se të ushqesh fëmijët, prit se nuk ke parë gjë akoma. T’i mund ta mbushësh barkun me lajmet e mira që vijnë për rritjen ekonomike, me statistikat për më shumë turist në Shqipëri, me revistat dhe fletoret e perëndimit që shkruajnë për jetën përrallore që mund të bësh në Shqipëri etj. Fukaraja tund supet e kërrusur, ngre fytyrën e brengosur, thith edhe njëherë cigaren që ka djegur dhe filtrin dhe mendon “mos vallë jam unë budalla dhe më gënjejnë që të gjithë se nuk ka punë, apo kam qenë në jerm kur kam kërkuar punë”? Dhe ngrihesh e çapit drejt shtratit me barkun bosh e lot në sy që fëmijët nuk e hëngrën dot as vaktin e drekës dhe as të darkës. Po ti o “i mallkuar”, i jep gajret vetes duke thënë, “do Zoti nesër do të nxjerr gjëkafshë se Perëndia është e madhe. Pale ku e kemi kismetin”. Pra në këtë rast fukarai që vuan “nga mëndët e kokës”, sipas përkufizimit të qeverisë nuk ka parë asgjë akoma. Një ditë fati mund t’i ndrijë.

Ai bujku, blegtori, çobani e mëditësi i varfër që pajtohet të lërojë tokën, duhet të jetë i lumtur. Ai ka parë e dëgjuar shumë, por njëkohësisht nuk ka parë asgjë akoma. Ku kishte parë ai fshatari fund të dunjasë, që me një të rënë të gishtit mbi ekran t’i vijë mrekullia tek pragu i derës? Ku kishte dëgjuar ndonjëherë fshatari për projektin “bëhemi 100 fshatra bashkë e ndajmë bereqetin sipas qejfit”? Po bariu, ku e kishte ëndërruar që me një makinë të madhe sa një deve, do të vinin të mbanin radhën njerëzit në stane, për qumësht, djathë nape e gjalpë të freskët. Pra të gjithë këta katundar kudo që janë, nuk kanë parë gjë akoma. Ndoshta një ditë do të zbres vetë kaçatori në anët tona, që të marrë sa më shumë prodhime e ndonjë thes trifletësh si dhuratë.

Po mësuesi ku e kishte parë e dëgjuar të bënet mësim pa pushuar, që të mësojën fëmijët sa më mirë e ai të robëtohet sa më shumë prej reformave ndriçuese, integruese, evropianizuese, e bashkëkohore që zënë fill nga Estonia dhe përfundojnë në Kenia. Ku e ishte parë mësuesi që t’i mohohej e drejta për të marrë shpërblimin që i takon për çdo fund viti. Ku kishte parë mësuesi që kryeministri me tre vite, t’u thoshte kolegëve të tij “Unë ja hodha se jam këtu sipër, ndërsa ju shkoni bëni edhe një vit shkollë që t’a quaj se mbaruat për mësues”. Mirëpo mësuesit nuk kanë parë asgjë akoma. Flitet se vitin që vjen, një tjetër reformë do të vij në nahijen tonë; Tre ditë mësim për tërë javën. Thonë që këtë propozim e ka bërë një veteran i Luftës Antifashiste rreth të 70-ve, i cili, kërkon më shumë kohë të luajë me kalamaqërit. Me ketë rast Ministria e Arsimit ka më pak punë, më shumë inteligjent bëhet fëmija dhe kursejmë ca lekë, pasi mësuesit do të paguhen më pak se do të kenë shumë ditë pushim. Sa për ato shkollat komunitare, me ushqim, bëjmë mësimet në klasë e pastaj shkojmë me qejf në shtëpi, nuk do ta hapë gojën njeri se i kanë harruar sa dollën si ide a reforma.

Po punonjësit e administratës publike . Këta të fundit kanë parë e kanë dëgjuar sa të duash e nuk besoj se më zi se kaq do të shohin. Në çdo dy vjet u ndërrohet struktura. Lëvizin në çdo 6 muaj me dosje në krah si beduinët nga një ndërtesë në tjetrën. U ndërrohet ëmri i institucionit sa herë që kryeministrit i bie në mend të bëj një reformë. Por gjithsesi ata të kënaqur mbeten. Kategoria që mbeti në punë, thotë “të bëhet ç’të bëhet shyqyr që na mbajtën”. Ata që kanë hyrë “me konkurs” e pa asnjë meritë thonë: “e zumë një rrëzë ku të vegjetojmë. Të bëjën si të duan me ndërtesa e struktura, ne në terezi e kemi. Të shtyjmë sa të shtyjmë pa ç’i q. t…n, çfarë vjen mbrapa.

Polici, ushtaraku janë edhe më fakirë në mendim ne në veprim. Shteti i ka si gurë shahu. I lëviz, i quan të mirë kur ja do puna, mëkatarë sa herë që janë në hall të mëdhenjtë. Policia, “që duam” dhe ushtria që pastron plehrat e qytetarëve dhe qeveritarëve, është krenaria jonë. Kur vriten e sakatohen, droga shëtit Ontranton dhe Korfuzin, duke e ka kthyer Adriatikun e Jonin, në autostradë krimi, fajin e kanë të inkriminuarit në radhët e Policisë. Po nuk shkoi gjë me marrëveshjen e detit, të jeni të sigurt se fajin do ta kenë ushtarakët, që edhe kështu siç janë, nuk është se po qullosin gjë.

Çfarë mund të shoh më shumë kjo kategori? Asgjë të madhe. Pritet që pas programit me ambasadat e huaja, biçikletë për policët e zonave rurale, të dali një program po kaq i hatashëm, gamilje për policët e bregdetit, pasi do të na ndjellin më shumë turistë.

Çfarë kemi parë e dëgjuar? Ministra, qeveritar, parlamentar, drejtor, specialist të thjeshtë e deri tek rojat e institucioneve, që të fusin duart në xhep sa herë që të mundin.

Çfarë nuk kemi parë gjë akoma.

Kemi prekur fundin por edhe më keq pritet të jetë. Po denatyralizohemi si individ, pa integritet, pa dinjitet, pa asnjë ndjenjë njerëzore dhe këtë kemi për ta kuptuar atëherë kur të jetë shumë vonë.

OPINIONE

INTERVISTA