“Nxjerrë në shitje të dhënat e shqiptarëve”/ Hakerat publikojnë dokumente të brendshme të kompanise “ONE Albania”

Kompania “One Albania” ra pre e një sulmi kibernetik më 25 dhjetor, duke cënuar të dhënat e 1.2 milionë abonentëve të saj. Sulmi kibernetik u mor përsipër nga grupi i ashtuquajtur “Homeland Justice”, teksa gjeti të pambrojtur kompaninë celulare dhe futi në kolaps të gjitha sistemet e saj. Hakerët thanë se kompania celulare “One Albania” ka lejuar përmes shërbimeve të saj që muxhahedinët e MEK të kryejnë sulme kibernetike dhe siç duket kjo ka qenë arsyeja pse ata e kanë sulmuar.

Por edhe pse shërbimet nuk funksiononin dhe sistemet ranë, kompania “One Albania” vazhdoi propagandën duke u mundur të përgënjeshtrojë sulmin dhe mosfunksionimin e sistemit duke thënë se nuk janë ndikuar nga ky incident.

Por, ditën e sotme grupi “Homeland Justice” ka publikuar në profilin e tyre në Telegram, dy dokumente të brendshme të “One Albania”, duke dëshmuar edhe një herë se janë cënuar të dhënat e shqiptarëve në këtë kompani telefonike.

“Ata që ju mbrojnë, duhet të mbrohen!

Kjo është ajo që ndodh kur në vend që të shpenzoni taksat e njerëzve për “ekonominë dhe sigurinë e njerëzve”, ju zgjidhni t’u jepni ushqim, tokë dhe banesa FALAS terroristëve të huaj!

[Njerëzit nuk paguajnë taksa mbrapsht me qëllimin për të mbështetur terroristët e NCRI]” – është mesazhi që përcjellin hakerat përmes këtij postimi.

Vlen të theksohet fakti se kompania “One Albania” ka një shërbim skandaloz ndaj klientëve të saj, ku pothuajse çdo ditë ka denoncime për zhvatje “padrejtësisht” të qytetarëve.

Jo vetëm kaq, por në 24 Gusht të vitit të kaluar, abonentët e kompanisë së telefonisë celulare, “One”, u gjendën pa pritur dhe pa asnjë paralajmërim në mungesë totale të shërbimit.

Ky ishte momenti më kulminant i një sjelljeje aspak rigoroze dhe normale të kompanisë me klientët e saj, pas një serie të mëparshme të ndërprerjes së sinjalit për minuta, madje edhe për orë të tëra. Klientët nuk arritën të merrnin asnjë përgjigje serioze nga kompania “One” për këtë ndërprerje të plota të sinjalit.

Në 24 Tetor 2023, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendosi të gjobisë shoqërinë ‘One” shpk me 10 milionë lekë të reja, për shkelje të disa detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për komunikimet elektronike dhe postare”. Një nga pikat që penalizoi shoqërinë ishte pikërisht mungesa e shërbimit të plotë, më saktësisht ndërprerja pa asnjë njoftim e sinjalit për abonentët. Gjithashtu, një ndër shkeljet ishte dhe ndërprerja pa paralajmërim e shërbimit celular ndaj klientëve që vonojnë kryerjen e pagesës mujore ndaj kompanisë së telefonisë së lëvizsshme.

Vlen të theksohet fakti se abuzimet e kompanisë celulare “One Albania” kanë shqetësuar edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Pak kohë më parë, deputeti i PS-së në Qarkun e Shkodrës, Frrok Gjini, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë, ngriti për herë të parë shqetësimin se kompania “One Albania” u ka bllokuar celularët dhe politikanëve. Bllokimi i celularëve të politikanëve u konfirmua edhe nga kryetari i Komisionit, deputeti socialist Eduard Shalsi, i cili tha se deputetët kanë komunikuar vetë me kompaninë.

/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne