NYT: Princi saudit heshti disidentët me operacione të fshehta

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, para vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi ka miratuar një operacion të fshehtë për t’i bërë disidentët e tij të heshtin, shkroi gazeta amerikan The New York Times, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke cituar zyrtarë amerikanë dhe miq të viktimave saudite, gazeta amerikane ka shkruar se në bazë të disa raporteve të klasifikuara të inteligjencës, princi saudit Salman, një vit para vrasjes së Khashoggit, u ka dhënë dritë jeshile një sërë metodash për heshtjen e disidentëve, përfshirë ndjekjen, rrëmbimin, burgimin dhe torturat.

Ekipi saudit, i emëruar nga zyrtarët amerikanë si “Grupi Saudit i Intervenimit të Shpejtë”, ka marrë pjesë në një numër të madh operacionesh kundër disidentëve në vitin 2017.

Sipas zyrtarëve, disa nga këto operacione kanë përfshirë dëbimin e disidentëve sauditë nga vendet e tjera arabe në vendin e tyre dhe privimin e tyre nga liria në pallatet e Mbretit Salman dhe princit të kurorës.

Në raportet e inteligjencës thuhet se një ligjëruese universitare që ka shkruar në lidhje me gratë e burgosura në Arabinë Saudite, ka tentuar të vetëvritet vitin e kaluar pasi është përballur me tortura psikologjike.

Zyrtarët po ashtu kanë thënë se grupi i ekzekutuesve sauditë ka punuar intensivisht në qershor të vitit të kaluar dhe se lideri i ekipit e ka pyetur kryekëshilltarin e princit Mohammad bin Salman nëse do të shpërblehen me bonuse me rastin e ditës së Ramazan Bajramit.

Siç thuhet në raportimin e New York Times, autoritetet saudite i janë shmangur komenteve në lidhje me ekzistencën e një ekipi të këtillë, duke mos u dhënë përgjigje as pyetjeve në lidhje me aktivitetet e ekipit.

Ndryshe, gazetari saudit Khashoggi u vra brutalisht në Konsullatën Saudite në Stamboll pak pasi hyri në objektin diplomatik më 2 tetor të vitit të kaluar.

Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.

Përkundër shpalosjes së detajeve rreth kohës, vendit dhe mënyrës së vrasjes së tij, trupi i gazetarit saudit ende nuk është gjetur.

– Gjurmët saudite në vrasje

Më herët, gazeta amerikane Washington Post ka shkruar se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka arritur në përfundimin se urdhrin për vrasjen e Khashoggit e ka dhënë princi saudit i kurorës Muhammed bin Salman.

Raportuesja e OKB-së Callamard qëndroi në Turqi nga 28 janari deri më 3 shkurt në kuadër të një hetimi. Në një deklaratë në lidhje me vizitën e saj, Callamard tha se “faktet e tubuara gjatë detyrës në Turqi tregojnë se Khashoggi ka qenë viktimë e një vrasjeje makabre të planifikuar më herët nga ana e shtetit dhe zyrtarëve të Arabisë Saudite”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne