OKB “jashtëzakonisht e shqetësuar” për fatin e civilëve në Rafah

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, shprehu shqetësim lidhur me planin e kryeministrit izraelit për evakuimin e civilëve nga Rafah në jug të Gazës. “Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për fatin e civilëve në Rafah”, u tha Dujarric gazetarëve në New York. Komentet e tij erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi Forcat e Mbrojtjes izraelite të zhvillojnë një plan të dyfishtë për të evakuuar civilët nga Rafah dhe për të mposhtur batalionet e mbetura të Hamasit.

“Ajo që është e qartë është se njerëzit duhet të mbrohen, por ne gjithashtu nuk duam të shohim ndonjë zhvendosje të detyruar, zhvendosje masive të detyruar të njerëzve e cila është kundër vullnetit të tyre”, tha Dujarric. OKB-ja nuk do të mbështesë në asnjë mënyrë zhvendosjen e detyruar që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, theksoi ai. “Dendësia e paprecedentë e popullsisë së Rafah e bën pothuajse të pamundur mbrojtjen e civilëve në rast të sulmeve tokësore”, shtoi zëdhënësi.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), tha ai, mbipopullimi në Rafah ka arritur në një pikë ku rrugët normale janë bllokuar nga tendat e ngritura nga familjet që kërkojnë ndonjë hapësirë të sheshtë dhe të pastër në dispozicion. “Në tre muajt e fundit, qyteti ka prodhuar ekuivalentin e mbeturinave të një viti, sipas autoriteteve komunale. OCHA thotë se mungesa e ushqimit, ujit të pastër, shërbimet shëndetësore dhe objektet sanitare kanë çuar në sëmundje dhe vdekje të parandalueshme”, shtoi ai.

Pavarësisht vendimit të përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmin e tij në Rripin e Gazës ku të paktën 27.947 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra, si dhe 67,459 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori. Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga një sulmi ndërkufitar i Hamasit, për të cilin Tel Aviv thotë se u vranë afro 1200 njerëz.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka lënë 85 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendosur në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne