OKB paralajmëron Izraelin për aneksimet e “paligjshme”

Komisionerja e Lartë e OKB-së, Michelle Bachelet deklaroi se planet e Izraelit për aneksimin e disa rajoneve në Bregun Perëndimor janë të “paligjshme”.

Në një deklaratë me shkrim, Bachelet tha se planet e Izraelit për ankesim të paligjshëm duhet të ndalohen dhe se këto plane do të kenë efekte shkatërruese mbi të drejtat e njeriut të palestinezëve.

Ajo i ka cilësuar të “paligjshme” planet e Izraelit për aneksim dhe ka bërë të ditur se Izraeli duhet të kthehet nga kjo “rrugë e rrezikshme” duke marrë në konsideratë kompetencat e tij dhe thirrjet e bëra në botë.

“Rezultatet e aneksimit nuk mund të parashikohen”, tërhoqi vëmendjen Bachelet, duke paralajmëruar se kjo do të ketë pasoja shkatërruese jo vetëm për palestinezët por edhe për izraelitët dhe rajonin.

Bachelet potencoi se planet për aneksim do të shkaktojnë “dëme serioze” ndaj përpjekjeve për paqe të përhershme në rajon, duke shtuar se do të vështirësohet qasja në shërbimet themelore si arsim dhe shëndetësi për palestinezët që jetojnë në rajonet që do të aneksohen.

Më tej Bachelet tha se bashkë me aneksimin do të zgjerohen edhe më shumë njësitë e vendbanimeve hebreje që shkelin ligjin ndërkombëtar ndërsa kjo do të rritë tensionet mes dy komuniteteve.

Aneksimi i paligjshëm “nuk do të ndryshojë përgjegjësitë që lindin nga ligji ndërkombëtar për Izraelin si një forcë okupuese”, tërhoqi vëmendjen Bachelet, duke vlerësuar se përkundrazi do të plagosë thellë shpresat për zgjidhjen me dy shtete.

“Ka ende kohë për t’u kthyer nga ky vendim”, nënvizoi Bachelet.

Plani i Izraelit për “aneksimin” e zonave në Bregun Perëndimor

Në planin e ashtuquajtur “Marrëveshja e Shekullit” për Lindjen e Mesme që presidenti i SHBA-së, Donald Trump e prezantoi më 28 janar bashkë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, janë nenet që njësitë e vendbanimeve të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor të njihen si “territor i Izraelit” dhe që qeveria e Tel Avivit të vazhdojë sundimin mbi Luginën e Jordanit që i përket Palestinës.

Një komision i përbashkët i përbërë nga zyrtarë amerikanë dhe izraelitë pas planit të ashtuquajtur “plani për paqe”, filluan procesin e formimit të hartave për Bregun Perëndimor për “aneksimin” e rajoneve në fjalë.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Netanyahut dhe liderit të aleancës “Kaltër dhe Bardhë” Benny Gantz, kryeministri izraelit që nga 1 korriku mund të paraqesë për miratim në Parlament ose në kabinet “aneksimin” e njësive të vendbanimeve të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor dhe të Luginës së Jordanit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne