Oligarku Samir Mane bllokon domainin e gazetës “SOT” pas akuzave se BERZH e mbështeti për të marrë 26 mln euro kredi…

Nga Portali sot.com.al

Oligarku i fuqishëm Samir Mane që ka zaptuar politikën, ekonominë dhe që ka mbytur deri në vetëcensurim një pjesë të mirë të mediave shqiptare, po kërkon me çdo kusht të bëjë të njëjtën gjë edhe me gazetën “SOT”. Këtij oligarku mesa duket i është mbushur mendja që, ashtu siç ka zaptuar pronat në bregdet, siç ka futur hundët në çdo biznes dhe është përfituesi më i madh investimeve strategjike të Edi Ramës, po tenton të uzurpojë edhe ato pak hapësira mediatike të lira që mundohen të hedhin rreze drite në pusin e errët të informacionit publik të përdorimit të parave dhe pronave shqiptare. Prej muajsh media jonë e pavarur që punon vetëm për të informuar qytetarët, i çori maskën Samir Manes, i cili ka gllabëruar tenderë me vlera marramendëse, ka përfituar prona gjigante në zona të lakmueshme në bregdet, ka futur duart në miniera, madje rezulton të jetë investitor strategjik me firmën e kryeministrit Edi Rama. Dje oligarku ka shkuar në ekstrem me veprimet e tij. Me urdhër të tij është mbyllur domaini i gazetës “SOT” online. Media jonë me ndihmën e specialistëve e ka rikthyer sërish brenda orës, pasi faqja është bllokuar pa asnjë argumentim serioz, duke pamundësuar vizitimin e saj nga qindra, mijëra lexues që kemi çdo ditë prej vitesh.

Pse Mane kërkoi mbylljen e gazetës “SOT”

Artikulli në gazetën “SOT” që e ka shqetësuar më shumë oligarkun është kredia klienteliste prej 26 milionë euro që ka marrë në bankë me ndihmën e shtetit për ndërtimin e hotelit në fshatin e tij turistik “Grean Coast”, investim pas të cilit fshihen histori abuzimi. Ne si media i kemi publikuar me detaje të gjitha skandalet. Por le të kthehemi tek artikulli. Në shpjegimin që bëhet për të bllokuar domainin e “SOT”, thuhet se ne si media po dezinformojmë, pasi Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nuk e ofron kredinë, por e mbështet atë. Në këtë rast BERZH do të shlyejë gjysmën e shumës për bankën e nivelit të dytë në Shqipëri (Intesa SanpaoloBank) në rast se investimi i hotelit në Palasë dështon dhe kredia nuk kthehet nga Samir Mane. Ku është gënjeshtra këtu? Banka Europiane ka vendosur garanci në bankat e nivelit të dytë, në këtë rast te Intesa SanpaoloBank si formë lehtësie financimi për mbështetjen e turizmit dhe agrobiznesit dhe kjo marrëveshje është iniciuar nga vetë kryeministri Edi Rama si fillim për fermerët, e cila dështoi si skemë dhe tashmë ka kaluar te oligarkët. Situata madje në këtë mes është edhe më e rëndë, pasi kush është marrë të paktën njëherë në jetë me bankat e di se marrja e një kredie është një proces i vështirë me kriteret që ato kërkojnë si dhe burokracitë. Në këtë rast BERZH ka dalë garant për një personazh si Samir Mane, që i ka të hapura problemet me drejtësinë. Për Manen, i cili është dhe një person nën hetim nga SPAK,pasi akuzohet se ka ndihmuar në pastrimin e parave për Arben Ahmetajn dhe Ilir Metën, bankat janë treguar shumë bujare, pasi në këtë rast ka dalë si mbështetje Edi Rama.

Kërkesa

Në pikën e dytë të kërkesës për të bllokuar domainin e “SOT” thuhet se “BERZH nuk ka asnjë presion nga qeveria shqiptare për të hyrë në asnjë lloj marrëdhënieje me subjekte private apo publike. Artikulli është qëllimisht dezinformues”. Siç e shpjeguam edhe më sipër që marrëveshjet me BERZH për financime në turizëm, bujqësi dhe fusha të tjera janë firmosur nga Edi Rama dhe qeveria shqiptare. Shqipëria është partnere në këtë strukture dhe ka rol ekzekutiv pranë kësaj banke. Nuk përjashtohet, që në këtë rast një dorë Manes t’ia ketë dhënë Rama, pasi oligarku deri më sot ka qenë më i përkëdheluri nga ligjet e bëra apostafat nga qeveria. Janë krijuar projekte në mënyrë që bizneset e tij të lulëzonin edhe më shumë. Mund të themi hapur që ky oligark ka pushtuar Shqipërinë me fuqinë që tashmë ai zotëron, ku ndihmë të madhe ka marrë nga politika, por tashmë edhe nga media. E themi këtë pasi kjo nuk është hera e parë që Edi Rama ka favorizuar Samir Manen, kur bëhet fjalë për kreditë në banka. Ky i fundit ishte një nga përfituesit më të mëdhenj të kredive të subvencionuara nga Rama për përballimin e pandemisë së COVID-19, duke thithur gati gjysmën e fondit të miratuar nga bankat. Për kompaninë Albchrome, që ishte në pronësi të Manes në atë periudhë u miratuan dy linja kredie me vlerë totale prej 410 milionë lekësh, nga të cilat u tërhoqën 62.2 milionë lekë. Albchrome nuk ishte kompania e vetme e oligarkut që përfitoi kredi të subvencionuar nga buxheti i shtetit gjatë krizës së COVID-19. Pjesë e programit të garancisë sovrane u bënë edhe kompanitë Neptun, Fashion Group Albania dhe Kid Zone, të treja në pronësinë e grupit Balfin, duke e renditur Manen si përfituesin e dytë më të madh nga skema e garancisë sovrane me 482.5 milionë lekë të miratuara dhe 83.4 milionë lekë të disbursuara gjithsej në atë kohë.

Samir Mane nën hetim nga SPAK

Në një tjetër pikë të kërkesës për të bllokuar domainin e “SOT” thuhet se: “Nuk ka asnjë provë apo komunikim publik nga asnjë institucion publik që pronari i BALFIN Group, Samir Mane, është thirrur për të dëshmuar apo ka ndonjë çështje në vijimësi në gjykatat speciale.” Ky argumentim jo serioz dhe qesharak nuk qëndron, pasi institucionet e drejtësisë kanë për detyrë të hetojnë dhe jo të mbajnë deklarata publike se kë thërrasin për të dëshmuar, apo se cilin kanë marrë nën hetim. Fakti i sigurt është se Samir Mane ka dosje në SPAK. Burimet tona bënë me dije se kallëzimi penal që u dorëzua më 26 mars 2024 nga Nisma Thurje për skandalin me Portin e Vlorës është regjistruar nga prokurorët specialë. Për këtë aferë, në filtrat e SPAK janë futur ministra dhe oligarkë. Nga dosja që kemi siguruar, të rrezikuar janë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ish-ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, oligarku Samir Mane dhe Geront Çela. Të gjithë këta emra, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama pritet të japin llogari para Prokurorisë së Posaçme. Gjithashtu në dosjet që po heton SPAK del se biznesmeni Samir Mane ka ‘mision’ të ndihmojë politikanët që të pastrojnë paratë dhe këtë e ka bërë me Arben Ahmetajn, por edhe me Metën, duke i blerë një vilë në Golem. Mane e bleu vilën me vlerë 300 mijë euro, ndërkohë që pikërisht këtë pronë Meta e kishte blerë në vitin 2003 për 60 mijë USD. Nëse Mane kërkon deklarata publike, atëherë po citojmë fjalë për fjalë Ilir Metën, i cili tha se prokuroria po heton nëse shitja e saj ka lidhje me çështjen e kompanisë telefonike, ku ai ka pasur një takim me oligarkun, në cilësinë e ministrit të ekonomisë. “SPAK është një organizatë karagjoze, do me patjetër të më krijojë një lidhje me mikun tuaj, të dashur, Samir Mane, I kërkoj falje që po i përmend emrin, Unë nuk e kam fshehur raportin miqësor që kam pasur me të, do të krijojë lidhjen se çfarë ka ndodhur me ato 300 mijë euro që është blerë shtëpia nga ana e Samirit, dhe më pas ta ka shitur ty. Unë nuk e di se pse është deklaruar në atë vit e jo në një vit tjetër. Thonë se nga një përgjim, që del se unë kam ndikuar te Pirro Xhixha, për të favorizuar Samirin për këto te telefonisë. Është rasti i Plus që 10 apo 15 pronarë shqiptarë ngrinin pretendimin se kreu i AKEP po i dëmtonte. Nuk ka qenë vetëm Samiri më takimin që unë kam zhvilluar, ka qenë Armando Duka, kanë qenë pafund pronarë. Do të nxjerrë një lidhje për një gjë që nuk ekziston”, u shpreh Meta pak kohë më parë.

Hetimet

Evidentohet qartë që kemi të bëjmë me një skemë pastrimi parash ku politika bashkëvepron ngushtë më biznesin e ‘përlyer’. Sjellim në vëmendje se në dosjen e SPAK del se Mane ka mbuluar edhe pastrimin e parave nga Arben Ahmetaj me vilën në Hamallaj dhe vilën tjetër në Palasë. Kompanitë e Manes shfaqen me rol kryesor në dosjen e SPAK-ut për hilet e ish-ministrit Arben Ahmetajt në pastrimin e parave, duke i investuar në vila pikërisht tek resortet e Samir Manes. Por jo vetëm kaq, bazuar në dosjen e SPAK-ut, punonjësit e kompanisë së Manes kanë tentuar të zhdukin provat komprometuese nga kompjuterat, me qëllim mbrojtjen e Arben Ahmetajt dhe ish-bashkëshortes së tij. Në fund nga Samir Mane, kërkohet bllokimi i serverit i gazetës “SOT”, pasi ne si gazetë i kemi prishur imazhin oligarkut dhe bankës së nivelit të dytë në Shqipëri dhe BERZH. Por me faktet që renditëm më sipër, gazeta nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të tregojë me prova se do jemi ballë luftërave me gjithkënd qoftë oligark, politikan i korruptuar, apo bandit mediatik që kërkon të fshehtë të vërtetën dhe të mbulojë aferat./sot

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq