Organizata joqeveritare B’Tselem thotë se veprimet e Izraelit në Gaza përbëjnë krime lufte

Organizata joqeveritare B’Tselem me seli në Kuds i ka cilësuar si krime lufte veprimet izraelite në Gaza që nga inkursioni i papritur i grupit palestinez Hamas.

Karim Jabran, zëdhënës OJQ-së i B’Tselem, i cili dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut në territorin e pushtuar palestinez, tha për Anadolu se deklarata eksplicite e ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Galant, për të ndërprerë ujin, energjinë elektrike, karburantin dhe furnizimet thelbësore në Gaza, “plotësisht përbën krim të luftës”.

Ai tha se Gaza mbështetet vazhdimisht në furnizimet e përditshme dhe bllokimi i ndihmës humanitare, mjekësore, ujit dhe energjisë elektrike për ata që përballen me bombardime është një formë tjetër e vrasjes dhe shfarosjes.

Jabran tha se ka një zhvendosje të gjerë të popullësisë në Gaza, pa strehimore dhe pa asnjë mënyrë për të kërkuar mbrojtje nga sulmet ajrore.

Zëdhënësi tha se “një krim nuk mund të legjitimojë asnjëherë një tjetër krim”. “Pavarësisht dënimit të incidentit, kjo nuk i jep Izraelit dritën jeshile për të kryer krime lufte kundër qytetarëve të pafajshëm në Gaza”, shtoi ai.

Në një deklaratë të mëparshme, OJQ-ja tha se një “politikë kriminale e hakmarrjes” ishte duke u zhvilluar në Gaza dhe nuk kishte “asnjë justifikim për këto veprime, të cilat përbëjnë krime lufte të urdhëruara hapur nga zyrtarët e lartë izraelitë”.

“Edhe përballë tmerrit dhe terrorit, dëmtimi i qëllimshëm i civilëve, prona e tyre dhe infrastruktura civile është gjithmonë e ndaluar”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ndryshe nga ajo që lënë të nënkuptohet ministrat izraelitë, “kjo politikë nuk është e re, por është zbatuar ndaj Gazës për shumë vite”.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumëanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhuna në rritje e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Gazës. Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një bllokadë të rreptë që nga viti 2007./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne