Pakësohen huatë për banesa në euro, preferohen në lekë, vijon zhvendosja e kredive

Nëntori ka theksuar më tej tendencën e zhvendosjes së kredive për blerje pasurish të paluajtshme të individëve nga euro në lekë. Banka e Shqipërisë raporton rënie të mëtejshme të kredisë në monedhën evropiane për blerje banesash në nëntor, me individët, ashtu si dhe bankat të orientuar nga huatë në monedhën tonë kombëtare, në një moment kur totali i huave për të gjitha qëllimet ka shënuar tkurrje të dukshme.

Sipas të dhënave zyrtare, nga ekuivalenti prej 70,2 miliardë lekësh në tetor, huaja në euro për blerje banesash ka rënë në 67.3 miliardë në muajin nëntor. E llogaritur me kursin aktual të këmbimit, nga afërisht 700 milionë euro në tetor, huaja për blerje apartamentesh rezulton afërisht 670 milionë euro në fund të nëntorit. Me këto ritme, huaja për apartamente në euro, ka shkuar poshtë niveleve të fundvitit të shkuar, duke kujtuar se në nëntor 2022, huaja për apartamente gjendej në nivelin e afërisht 700 milionë eurosh.

Krejt e kundërta po ndodh muajt e fundit me kredinë për blerje banesash në lekë. Nga 106,8 miliardë lekë në fund të tetorit, huaja për blerje apartamentesh është shtuar me rreth 3 miliardë lekë në harkun kohor të një muaji, duke kërcyer mbi 109 miliardë lekë në fund të nëntorit. Ndërkohë që huaja për banesa ka mbajtur gjallë huanë për segmentin e individëve gjatë këtyre 11 muajve, duke parë se në rënie të fortë janë produktet e tjera të kreditimit bankar. Në total, huaja për individët ka rënë në 267,3 miliardë lekë në nëntor, nga 267,9 miliardë në tetor.

Financimi i bankave për individët ka vijuar me ritme të larta gjatë tremujorit të tretë, ndonëse rritja prej 12.5% në këtë tremujor ishte 1.4 pikë përqindje më pak se në gjashtëmujorin e parë. Ngadalësimi i kredisë në valutë ka ndikuar në këtë ecuri. Në ngjashmëri me tendencat e vërejtura tek bizneset, kredia në valutë e individëve është ngadalësuar duke zbritur në 13.9% në tremujorin e tretë, nga një mesatare prej 21% në gjashtëmujorin e parë. Edhe individët kanë zgjedhur të mbyllin para kohe një pjesë të kredisë në valutë – kryesisht në euro – dhe i kanë zëvendësuar ato me kredi në lekë. Faktorët kryesorë që kanë mbështetur këtë zhvendosje kanë qenë mbiçmimi i monedhës vendase, normat më të ulëta të interesit të kredisë hipotekare në lekë krahasuar me atë në euro, si dhe lehtësirat rregullative për ndryshimin e monedhës pa penalitet./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne