Nga 1 janari 2024, të vetëpunësuarit dhe personat fizik të profesioneve të lira të përcaktuara në listën analitike të miratuar nga Këshilli i Ministrave, do të paguajnë tatimin progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

Nëpërmjet ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri në 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

“Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë:

a) 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor;

b) 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit”, thuhet në udhëzimin e përgjithshëm “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Udhëzimi gjithashtu përcakton se nëse një i vetëpunësuar, 80% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga një klient i vetëm, apo 90% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se tre klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën.

Ligji përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029.

Sa do të paguhet në krahasim me bizneset e tjera dhe të punësuarit

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) do të paguajnë deri 50% më pak tatim se të punësuarit, ndërsa norma tatimore 23% për kategorinë me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë barazohet me normën tatimore që paguajnë shoqëritë tregtare (15% mbi fitimin dhe 8% tatim dividendi). MFE sqaroi për Monitor se norma tatimore 23% do të “bllokojë” lëvizjen e biznesit drejt fashave të tjera me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Për kontabilistët dhe ekspertët fiskalë, nga 1 janari 2024 profesionet e lira do të ngarkohen me tatim mbi të ardhurat më shumë se korporatat dhe bizneset e vogla që do të vijojnë me zero tatim deri më 31 janar 2029.

Sipas tyre ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” krijon pabarazi mes bizneseve dhe godet shtresën e mesme. Vendimi me listën për profesionet e lira, i botuar në Fletoren Zyrtare, është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, në 180 profesione, sipas llojit të aktivitetit. Në listën e profesioneve të lira do të përfshihen aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimit, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit, operatorët turistikë etj.

Sipas ndarjes në aktivitete, në taksimin e ri do të përfshihen: Filma, video dhe prodhimi i programeve televizive, regjistrimi i zërit dhe aktivitete të prodhimit të muzikës; Shërbime të teknologjisë së informacionit; Aktivitete të shërbimit të informacionit; Aktivitete të shërbimeve financiare, përveç sigurimeve dhe financimit të pensioneve; Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensioneve, përjashtuar sigurimin shoqëror të detyrueshëm; Aktivitete ndihmëse të ndërmjetësimit financiar përveç sigurimit dhe financimit të pensioneve; Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike; Aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike; Publiciteti dhe kërkimet e tregut; Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; Aktivitete veterinare; Aktivitete të marrjes e dhënies me qira; Aktivitete të punësimit; Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit; Administrim zyrash, mbështetje administrative dhe të tjera aktivitete mbështetëse; Administrimi publik dhe mbrojtja; Sigurimi social i detyrueshëm; Arsimi; Aktivitete të shëndetit; Aktivitete të qendrave të kujdesit mjekësor e social; Aktivitete të kujdesit social pa akomodim; Aktivitete krijuese; Arte dhe aktivitete çlodhëse; Aktivitete sportive argëtuese dhe çlodhëse; Aktivitete të tjera shërbimi.

Kryetari i Këshillit Drejtuese të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar Sotiraq Dhamo pohoi për “Monitor” se vendimi me listën analitike të profesioneve të lira duhej të ishte publikuar 3 muaj pas miratimit të ligjit. Ligji u miratua në muajin mars dhe VKM përkatësisht duhej të publikohej në periudhën korrik-gusht 2023.

Po sipas VKM-së Dhamo tha se përfshihen shumë shërbime, jo vetëm profesione të lira, pasi profesionet e lira janë pak që rregullohen me ligj, si: audituesit, avokatët, mjekët, noterët, kontabilistët, infermierët…. Të tjerët janë thjesht shërbime që ofrohen nga individë.

Përveç ngarkesës tatimore, për këtë kategori tatimpaguesish, situata paraqitet shumë e rrëmujshme për zbatimin e tij, për shkak të ndryshimeve të ligjit që u miratuan më 16 dhjetor 2023 dhe vonesës në miratimin e listës për profesionet e lira (VKM u miratua nga Këshilli i Ministrave më 20 dhjetor). Te bizneset pritet të krijohet konfuzion edhe për zbatimin të ligjit të ri, për shkak të ndryshimeve të deklarimit të të ardhurave nëpërmjet formularëve të ligjit ekzistues, por me normat e reja tatimore.

Për këto ndryshime ligjore, IKM thekson se janë vetëm në funksion të administratës tatimore, ndërsa nuk i përgatit bizneset për plotësimin e deklaratës së të ardhurave. “Pra nuk ka interesim nga institucionet shqiptare nëse biznesi është gati dhe shumica e bizneseve nuk e njohin në tërësi legjislacionin e ri”, nënvizojnë drejtuesit e IKM-së. Ministria e Financave dhe Ekonomisë tha se ndryshim i ligjit për përdorimin e formularëve të vjetër të deklarimit të të ardhurave dhe të tatimit në burim erdhi nga mosarritje në kohë e publikimit të modelit të ri të formularëve.

Pavarësisht kësaj Financat theksojnë se nuk pritet të ketë vështirësi zbatimi nga bizneset që tashmë janë të përgatitura për plotësimin e formularëve ekzistues.