Paketa ekonomike e Qeverisë, Shehaj: Kredia 100 milionë euro nuk funksionon, të paguajë 70% të rrogave

Qeveria duhet t’u paguajë të gjithë atyre që kanë dalë nga puna një përqindje të rrogës, për një afat të caktuar kohor. Sipas ish deputetit të PD, Agron Shehaj, kjo masë po zbatohet kudo në botë, përfshi Italinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj thotë se garancia e qeverisë prej 100 mln euro për huatë që bizneset duhet të marrin për të paguar pagat nuk funksionon dhe bëhet nga njerëz që nuk e dinë si funksionon biznesi i ndershëm dhe konkurenca.

Nga Agron Shehaj

Garancia e qeverisë prej 100 mln euro për huatë që bizneset duhet të marrin për të paguar pagat nuk funksionon dhe bëhet nga njerëz që nuk e dinë si funksionon biznesi i ndershëm dhe konkurenca: sipërmarrësit nuk do rrezikojnë të hyjnë në borxh për të paguar punonjësit, ndërkohë që bizneset e tyre janë të mbyllur.

Njësoj, paketa 65 miliardë lekë për bizneset e vogla është e vogël dhe nuk garanton as një përqindje të vogël të pagave mujore të bizneseve te prekura.

Sot janë mbi 500 mijë të punësuar dhe të vetëpunësaur në sektorin privat. Në bazë të sektorëve ku janë të punësuar, rreth 100 mijë prej tyre kanë mbetur tashmë pa punë. Ka shumë mundësi që ky numër të rritet në ditët e ardhshme të paktën deri në 200 mijë.

Qeveria duhet t’u paguajë të gjithë atyre që kanë dalë nga puna një përqindje të rrogës, për një afat të caktuar kohor. Kjo masë po zbatohet kudo në botë, përfshi Italinë ku sistemi quhet “casa integrazione”.

Sipas INSTAT-it, rroga mesatare në Shqipëri është rreth 350 euro. Nëse shteti do paguante 70% të rrogës (245 euro), kjo masë do i kushtonte qeverisë 24,5 milionë euro për 100 mijë punonjës dhe 49 milionë euro për rrogat e 200 mijë punonjësve çdo muaj.

Nëse nuk merret kjo masë, Shqipëria do ndeshet me një dramë sociale dhe ekonomike.

Prioriteti absolut i qeverisë, krahas ndihmës shëndetësore, duhet të jetë garantimi i të ardhurave minimale për mbijetesë. Shqiptarët duhen ndihmuar të gjithë, menjëherë dhe pa dallime!/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne