Bota

Pakistani arreston 44 militantë të dyshuar për sulmin në Kashmir

Ministria e Brendshme e Pakistanit njoftoi se ka arrestuar dhjetra militantë të dyshuar, të cilët India i akuzon për sulmin vetëvrasës në Kashmir që la të vrarë rreth 40 ushtarë indianë.

Në komunikatën e ministrisë së Brendshme të Pakistanit njoftohet se janë arrestuar 44 militantë të dyshuar, përfshirë Mufti Abdul Rauf, që është vëllau i Masood Azhar, udhëheqësit të grupit militant “Jaish-e Mohammad”.

Ky grup militant me bazë në Pakistan e kishte marrë përgjegjësinë për sulmin në Kashmir.

Sulmi i 14 shkurtit shkaktoi një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve ndërmjet Indisë dhe Pakistanit.

Të dyja vendet ishin afër një lufte gjithëpërfshirëse kur javën e kaluar India ndërmorri sulm ajror ndaj bazave të militantëve brenda territorit të Pakistanit.

Pakistani iu përgjigj sulmit duke rrëzuar dy aeroplanë të Indisë si dhe duke rrëmbyer një pilot të cilin e liroi më vonë.

India dhe Pakistani, të dyja fuqi bërthamore, kanë pretendime ndaj rajonit të Kashmirit që nga viti 1947 si dhe kanë zhvilluar dy lufta për këtë rajon.

OPINIONE

INTERVISTA