Pakistani mbështet Kinën në tensionet kufitare me Indinë

Pakistani ka shprehur mbështetje për aleatin e saj, Kinën, në përballjen me Indinë në zonën Ladakh të rajonin e diskutueshëm Xhamu dhe Kashmir.

“Kina u përpoq shumë për të zgjidhur çështjen në mënyrë miqësore dhe përmes bisedimeve. Por, India nuk pati të njëjtën qasje dhe vazhdoi ndërtimet në rajonin e diskutueshëm, që çoi në një përleshje të përgjakshme”, tha në një deklaratë ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi.

Gjithsej 20 ushtarë indianë vdiqën të martën si rezultat i përplasjeve kufitare me trupat kineze në Ladakh, që ishte përplasja e parë vdekjeprurëse midis dy forcave kufitare që nga viti 1975.

Incidenti gjithashtu shtoi kritikat për politikën e jashtme të kryeministrit nacionalist të Indisë Narendra Modi, i cili tashmë ishte i kritikuar për rritjen e tensioneve kufitare me Nepalin fqinj dhe pakënaqësinë e Bangladeshit për Ligjin e diskutueshëm të Shtetësisë.

“Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, e cila është manifestuar në formën e një përplasjeje të përgjakshme pas disa dekadash. Kjo qartë është rezultat i ideologjisë Hindutva të Indisë”, tha Qureshi.

Duke mbështetur qëndrimin “parimor” të Pekinit për mosmarrëveshjen e kufirit me Indinë, ai tha: “Kufiri prej 3.500 kilometrash në Ladakh dhe Tibet është një rajon i diskutueshëm. Nëse India mendon se mund të gllabërojë këtë zonë, atëherë ndoshta kjo do të ishte e papranueshme për Kinën”.

Tensionet kufitare midis dy vendeve kanë ekzistuar për më shumë se shtatë dekada.

Kina pretendon territor në verilindje të Indisë, ndërsa New Delhi akuzon Pekinin për okupimin e territorit të saj në pllajën Aksai Chin në Himalaje, duke përfshirë një pjesë të rajonit Ladakh.

“Kurdoherë që India të ndjekë këtë ideologji dhe shfaq këtë kokëfortësi, situata në rajon do të përkeqësohet”, shtoi ai.

Duke iu referuar heqjes të statusit të posaçëm i cili ishte aktiv për disa dekada në rajonin Xhamu dhe Kashmir, kryediplomati pakistanez theksoi se Kina dhe Pakistani kishin refuzuar veprimin e diskutueshëm të New Delhit, “por India, në vend që të tregojë një qasje të moderuar, është duke përforcuar politikat e ekstremizmit”.

Duke akuzuar New Delhin se “vazhdimisht” ka refuzuar ofertën e Islamabadit për bisedime, Qureshi tha: “Pakistani është një vend që dëshiron paqe. Por nëse India mendon se Pakistani mund të tërhiqet shkaku i qasjes agresive, atëherë kjo do të jetë një keqkuptim.”/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne