Palestina thotë se nuk ka koordinim me EBA-n për aeroplanin me ndihma

Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh tha sot se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) nuk janë koordinuar me qeverinë e tij në lidhje me ndonjë ndihmë të mundshme.

Sipas mediave izraelite, një aeroplan nga EBA sonte duhet të aterojë në aeroportin izraelit Ben Gurion në afërsi të Tel Avivit, në një fluturim të drejtpërdrejtë nga Abu Dhabi në Izrael.

Raportohet se udhëtimi u koordinua përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit dhe se aeroplani, i cili ka logon e EBA-s, do të transportojë ndihma mjekësore për palestinezët.

“Ne nuk jemi në dijeni për këtë ndihmë dhe kemi dëgjuar për të nga mediat. Kjo nuk është e koordinuar me ne”, tha Mohammad Shtayyeh para përfaqësuesve të mediave.

Kryeministri palestinez gjithashtu u shpreh se “ne mirëpresim çdo ndihmë ndërkombëtare, por pas koordinimit dhe bisedimeve të drejtpërdrejta me ne.”

Veprimi i EBA-s vjen tre javë pasi qeveria palestineze refuzoi të prajonë ndihmë mjekësore të dërguar nga EBA me një aeroplan që ateroi në aeroportin Ben Gurion.

Qeveria Palestineze refuzimin e ndihmës ia atribuoi mungesës së koordinimit me autoritetet e EBA-s.

EBA nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Izraelin, pavarësisht raportimeve të shumta për komunikime midis dy vendeve për të cilat nuk ka njoftime zyrtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne