Pamje horror në Morgun e Tiranës, trupa të dekompozuar prej tre vitesh, frigoriferët nuk punojnë

Një skandal i rëndë u denoncua sonte për Morgun e Tiranës, ku trupa të pajetë ndodhen në atë institucion prej tri vitesh. Nëpërmjet pamjeve, emisioni “Fiks Fare” solli gjendjen e brendshme të Morgut, atje ku mbahen kufomat. Por, më skandalozja ishte se dy nga tri frigoriferët ku mbaheshin trupat nuk funksiononin, duke sjellë dekompozimin.

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën informacione se gjendja është tejet e vështirë. Vonesat në procedurat e hetimeve dhe identifikimeve kanë sjellë që ato trupa të dekompozohen. Pamjet janë me të vërtetë horror. Mësohet se në Morg janë 3 frigoriferë me një kapacitet prej 24 kufomash. Por, në momentin që Fiksi siguroi pamje, në atë institucion ndodheshin 27 kufoma.

Redaksia siguroi edhe një listë të të gjithë personave që kanë ndërruar jetë dhe janë të paidentifikuar. Trupat janë që prej vitit 2020, 2021, 2022 dhe të vitit 2023. Sipas kësaj liste, data më e largët është 26 prill 2020, ku në Morgun e Tiranës ka shkuar një trup i pajetë, ende i paidentifikuar. Më pas, në fund të 2020-ës, një tjetër trup i pajetë ka shkuar në morg. Lista vijon me 3 viktima në vitin 2021. Më pas, me 13 kufoma në vitin 2022, midis të cilëve edhe një bebe, që ende ndodhet në Morg. Në këtë vit kanë humbur jetën disa shtetas të huaj, disa të identifikuar dhe të tjerë jo. Po në vitin 2022, në Morg ka shkuar edhe një trup i pajetë i një femre. Sipas Morgut të Tiranës, ky trup ka ardhur nga spitali i burgut. Trupat e tjerë kanë shkuar në IML në vitin 2023.

Pas këtyre informacioneve, bashkëpunëtorët e Fiksit kanë shkuar brenda Morgut dhe kanë filmuar këto trupa të pajetë. Problemi më i madh ishte se, nga 3 frigoriferët aktualë, vetëm 1 ishte në gjendje të plotë pune. Një frigorifer, brenda të cilit ndodheshin disa trupa të pajetë, nuk punonte. Në pamje dukej se përgjegjësit e Morgut i kanë vendosur një etiketë “MOS E HAP, NUK PUNON!”.  Frigoriferi i tretë herë punon e herë nuk punon. Në pamje duket se frigoriferi ka shkrirë. Dhe, brenda tij ka sërish trupa të pajetë.

Kufomat ishin vendosur sipër njëri – tjetrit. Më skandalozja, trupat e pajetë kanë filluar të dekompozohen. Janë më tepër sesa kapaciteti. Dy trupa të tjerë ndodheshin në tavolinat e autopsisë dhe jashtë frigoriferëve prej disa kohësh./TPZ/Fiksfare

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne