Paradoksi i largimit të vonuar të Haki Çakos

Largimi i vonuar i Haki Çakos i jep fund një paradoksi që zgjat prej disa kohësh. Ish drejtori i përgjithshëm i policisë, vazhdonte të qëndronte në detyrë, ndërkohë që, si eprori i tij politik, Saimir Tahiri, po ashtu edhe të gjithë vartësit e tij në qarqe, pra të tërë krerët lokalë të policisë, kishin rënë.

Për çdo njeri normal, që e kishte ndjekur sado nga larg historinë e “policisë që deshëm” disa pyetje ishin të pashmangshme: si ka mundësi që Çako po e ruan postin e tij, ndërkohë që edhe shefi i tij politik akuzohet si ortak i tafikantëve edhe vartësit që kishte poshtë janë njerëz të shpallur në kërkim? Si ka mundësi kur gjithë piramida e policisë është njollosur, ku më shumë e ku më pak nga hashashi, kreu i tyre qenka i pastër? Si mund të ndodhë që 128 punonjës policie paskëshin qenë të lidhur me krimin dhe shefi i tyre nuk ka ditur gjë? Si është e mundur që komisariati i Vlorës qenkësh kthyer në një strehëz ku banditët shfrynin edhe epshet seksuale, dhe askush nga drejtuesit nuk mbaka përgjegjësi?

Ky paradoks, ku gjithçka rreth e rotull ka rezultuar e pistët dhe Haki Çako mundohej të ruhej si një ishull i pastër, natyrisht e ka një shpjegim. Ai lidhet me dilemën që po torturon Edi Ramën që nga dita që dolën përgjimet italiane të Habilaj -Tahiri.

Që prej asaj dite kryeministri po mundohet të shesë një fabul që nuk ngjit. Ai do të na bëjë të besojmë (pas shumë genjeshtrash më në fund e ka pranuar) se edhe vendi ishte mbushur me kanabis, se edhe krerët lokalë të policisë ishin të përfshirë në këtë batak, se sipas të gjitha gjasave edhe ish – ministri i brendëshëm ishte “një vemje e padenjë për fjalën njeri”, por, që pavarëisht nga këto, gjatë qeverisjes së tij, për ne është kujdesur një polici model. Ajo policia që zëvendësoi barkëderrët mustaqelli me djem të qethur shkurt dhe vajza simpatike, ajo policia që gjobit deputetët, ajo policia që të ndalon me politesë për shkelje semafori dhe mosmbajtje të rripit të sigurimit.

Haki Çako ishte trashëgimtari i fundit i këtij imazhi të sforcuar propagandistik. Sa më shumë ai qëndronte në postin e vet, aq më shumë kishte mundësi të përpëlitej fabula e rreme e “policisë që deshëm”.

Mirëpo ngjarjet e javëve që lamë pas, publikimet për shndërrimin e komisariateve në bordello, demaskimi një e nga një i shefave të policisë, arratisja e tyre në drejtim të paditur dhe presioni i disa vendeve perendimore, nënshkruan rënien e Çakos e bashkë me të edhe gurin e fundit që i kishte mbetur në këmbë propagandës qeveritare.

Tani me ikjen e tij, janë spastruar të tërë pjestarët e skuadrës që na u shit me bujë si ekipi i ëndrrave të “policisë që deshëm”.

Por, ky largim nuk është asgjë më tepër sesa një fitore e vogël e atyre që u përpoqën me këmbëngulje të tregojnë se çfarë fshihej pas fasadës së rreme të respektimit të semaforëve dhe rripit të sigurimit. Për të tjerët, për pjesën më të  madhe të shqiptarëve, ai nuk përbën asnjë shpresë. Sepse sot, pas pesë vitesh pushteti ramist, ne po kuptojmë se çfarë ka qenë realisht policia që na ka mbrojtur. Një bandë në krye të së cilës ishte vënë një ministër i lidhur me trafikantët, një drejtor i parë policie, i larguar pasi vartësit e tij fshehën dokumentat e interpolit, për të shpëtuar një deputet rilindas nga burgu, një drejtor i dytë para syve të të cilit, u kanabizua i gjithë vendi.

Prandaj duhet të jesh një optimist i sëmurë për të parë një sinjal pozitiv në largimin e vonuar të Haki Çakos. Atë nuk mund ta shesin si shpresë as strategjistët makivelistë të Edi Ramës që prej kohësh janë mësuar me fabrikimin e fabulave të rreme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne