Policia braziliane ka arrestuar pesë oficerë të akuzuar për planifikimin e një grushti shteti dhe përmbysjen e qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2022 dhe vrasjen e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva , thanë autoritetet, shkruan “Associated Press”. Përveç Lulës, puçistët planifikuan të vrisnin zëvendëspresidentin Gerald Alckmin dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes. Mediat braziliane raportojnë se katër personel ushtarak dhe një oficer policie janë në mesin e të arrestuarve. Janë kryer gjithsej tre kontrolle, të dyshuarve iu janë konfiskuar pasaportat dhe u është ndaluar kontaktimi me të tjerët.
Gjykatësi Alexandre de Moraes tha se një hetim policor zbuloi se anëtarë të forcave speciale të ushtrisë dhe një zyrtar i lartë ushtarak në pension ishin të përfshirë në komplot. “Qëllimi ishte të parandalohej inaugurimi i një qeverie të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe të minohej ushtrimi i lirë i demokracisë dhe autoriteti i gjyqësorit brazilian”, tha de Moraes. “Aktivitetet që arritën kulmin midis nëntorit dhe dhjetorit 2022 janë pjesë e një plani më të gjerë për të kryer një grusht shteti.”
Arrestimet pasuan deklaratat e dy prej udhëheqësve më të lartë ushtarakë të Brazilit, të cilët i thanë policisë në fillim të këtij viti se ish-presidenti Jair Bolsonaro u kishte paraqitur atyre një plan që ai të qëndronte në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2022, të cilat ai i humbi. Megjithatë, të dy e refuzuan planin dhe e paralajmëruan atë se do ta arrestonin nëse do të provonte, sipas dokumenteve të gjykatës të lëshuara në mars. Presidenti Lula u informua për arrestimet herët në mëngjesin e ditës së djeshme, por ende nuk ka komentuar./sot