Partitë opozitare daneze do të “mobilizojnë” deputetët e tyre për të refuzuar projektligjin që ndalon djegien e Kuranit

Pesë parti opozitare daneze kanë bërë të ditur se do të mobilizojnë sa më shumë deputetë të tyre për të kundërshtuar projektligjin e qeverisë për të ndaluar shpifjen ndaj simboleve fetare, përfshirë Kuranin.

Projektligji pritet të vendoset për votim gjatë seancës aktuale parlamentare, e cila fillon sot pas pushimeve të vjeshtës.

Aleanca Liberale, Demokratët e Danimarkës, Konservatorët, Partia Popullore Daneze dhe Partia ‘Nye Borgerlige’, të gjitha parti të krahut të djathtë, u kërkuan ligjvënësve të tyre të vijnë në parlament në numër maksimal për të kundërshtuar legjislacionin e propozuar të qeverisë kundër djegies së Kuranit.

Më 25 gusht, qeveria e koalicionit e Partisë Social Demokrate, Partisë Liberale dhe Partisë së Moderuar paraqitët legjislacionin për të kriminalizuar dëmtimin e simboleve fetare.

Legjislacioni u vendos pas djegies së përsëritur të kopjeve të Kuranit nga politikani danez i ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan, njëra prej të cilave ishte pranë një xhamie dhe jashtë ambasadës turke në Kopenhagë në fillim të këtij viti. Akti tërhoqi dënimin në mbarë botën.

Përdhosja e Kuranit shkaktoi zemërim në botën muslimane, me Türkiyen që dënoi ashpër miratimin e autoriteteve për aktin provokues, për të cilin tha se “përbën qartazi një krim të urrejtjes”.

Pasi projektligji u paraqit në parlament, Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës tha se veprimi po ndërmerret për të kriminalizuar djegien e Biblës ose të Kuranit.

“Si rezultat i djegies së fundit të Kuranit, Danimarka shihet gjithnjë e më shumë në pjesë të mëdha të botës si një vend që lehtëson veprimet fyese dhe denigruese kundër vendeve dhe feve të tjera”, theksoi ministria daneze.

Projektligji nuk do të mbulojë shprehjet verbale ose me shkrim, përfshirë vizatimet, por synon veprime që kryhen në një vend publik ose me qëllim të shpërndarjes më të gjerë.

“Këto veprime fyese dhe përçmuese ndikojnë negativisht në sigurinë e danezëve, si jashtë ashtu edhe brenda vendit në Danimarkë”, tha më vonë në të njëjtën ditë ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard.

Hummelgaard theksoi se kjo në mënyrë specifike do të thotë se “do të jetë një vepër penale e dënueshme” djegia publike, për shembull, e Biblës apo Kuranit.

Megjithatë, njoftimi i fundit nga partitë opozitare tregon qartë se qeveria nuk ka gjasa të marrë numrin maksimal të votave për të miratuar legjislacionin në parlament, i cili ka nisur një fazë konsultimesh 4-javore gjatë të cilës pritet të paraqitet zyrtarisht projektligji për votim.

Legjislacioni i ri do të përfshihet në kapitullin 12 të kodit penal të Danimarkës, i cili merret me sigurinë kombëtare. Dënimi për shkeljen e ligjit mund të variojë nga gjoba deri në dy vite burg./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne