Pas Bechettit edhe turqit e KURUM kërkojnë 100 milionë euro nga shteti shqiptar

Shqipëria do të përballet me një çështje të ngritur në arbitrazhin ndërkombëtar nga kompania Kurum, e cila ka patur përpara disa mujash koncesionin e terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit.

Çështja është regjistruar më 23 Shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investime në Washington, nga shoqëria “Durrës Kurum Shipping”, “Durrës Container Terminal” dhe dy investitorë të tjerë të këtij terminali.

Kompanitë i kërkojnë vendit tonë një shumë dëmshpërblimi prej 100 milionë Eurosh për prishjen e kontratës nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Beteja ligjore mes dy palëve është zhvilluar edhe në Shqipëri, por kompania koncesionare ka humbur procesin gjyqësor dhe tashmë i është drejtuar një gjykate ndërkombëtare.

Lajmi për këtë padi u publikua në revistën “Global Arbitration Review”, media e specializuar në këto çështje.

Kompania Kurum lidhi kontratë në Qershor të vitit 2011 me Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike për të marrë të drejtat ekskluzive të operimit në terminalin e kontenierëve për 35 vjet.

Vlera e investimit në këtë terminal sipas kontratës duhet të ishte 32.5 milionë Euro, ndërsa çdo vit duhet t’i paguante autoriteteve publike 2% të të ardhurave nga shfrytëzimi i Portit të Durrësit.

Shqipëria humbi përpara disa muajve një tjetër çështje me kompaninë “Hydro Srl” në po këtë gjykatë në Washington, duke i rënduar buxhetit të shtetit një faturë prej 109 milionë Eurosh./Tv Klan

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne