Pas Durrësit, Integrated Energy merr në një ditë 1.5 mln euro nga Bashkia e Tiranës

Kompania Integrated Energy, në hetim nga SPAK për skemë të madhe mashtrimi me fondet publike për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, mori me datën 25 janar 160 milionë lekë (1,5 milionë) euro nga Thesari si pagesa nga Bashkia e Tiranës në dy fatura të ndryshme secila me mbi 80 milionë lekë, sipas të dhënave nga “Open Data Albania”.

Pas Durrësit, Integrated Energy merr në një ditë 1.5 mln

 

Faturat janë regjistruar në thesar me datën 26 janar dhe janë paguar menjëherë me 29 janar në përshkrimin “Ndërtim landfill, Incenerator dhe rehabilitimin e vend depozitimit të mbetjeve dhe prodhim e energjisë elektrike”. Kjo shumë përfaqëson detyrimet e fundit të 2023-t, pasi siç tregon përshkrimi i faturës janë situacionet për muajin tetor dhe nëntor të vitit 2023.

Ndryshe nga investimet e tjera publike inceneratori i Tiranës, i Elbasanit dhe i Fierit kanë marrë pagesa të rregullta në nga buxheti. Operatorët e tjerë që kanë kontrata e qeverinë presin me muaj pagesën e faturave. Megjithë presionin e opinionit publik dhe shoqërisë civile, kur tashmë është vërtetuar se inceneratori i Tiranës nuk ekziston qeveria dhe Ministria e Financave nuk po sqarojnë faktin se si paguhen fatura pa u kryer punime.

Ligjet që rregullojnë buxhetin e shtetit vijnë në krye të hierarkisë ligjore për nga rëndësia që kanë. Taksapaguesit shqiptare financojnë një seri strukturash ligjore që e kanë për detyrë që të mos çelet asnjë lek nga thesari për punë të pakryer. Të dhënat e Ministrisë së Financave në relacionin e projektbuxhetit 2024 tregojnë se nga viti 2017 deri në fund të vitit 2023 janë paguar nga buxheti shtetit rreth 122 milionë eurove ndaj tre inceneratorëve, prej të cilëve asnjëri nuk punon.

Shqipëria ka nevoja të mëdha infrastrukturore bazë të tilla si rrugë me standarde, furnizim të rregullt me ujë dhe energji të zonave rurale, por qeveria orientoi fondet publike në disa projekte korruptive, të cilat edhe pse u vërtetuan si të tilla, vijuan të marrin fonde në mënyrë të rregullt nga buxheti i shtetit. Ndryshe nga projektet e tjera të investimeve publike të cilat marrin gati 50 për qind të financimeve vjetore në muajin dhjetor, madje janë krijuar edhe detyrime të prapambetura, për inceneratorët pagesat kryhen me një korrektësi të paprecedente./monitori

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne