Ron Yeffet, miku dhe sekseri izraelit i Edi Ramës, është parë ditën e sotme duke dalë nga zyra e kryeministrit, për t’u larguar më pas me makinën e tij luksoze. Pamjet e siguruara tregojnë qartë praninë e tij në zemër të qeverisë shqiptare.
Yeffet nuk është një emër i panjohur. Prej kohësh ai është bërë pjesë e bizneseve strategjike në Shqipëri nga energjetika, tek transporti dhe pajisjet fluturuese. Por kulmi erdhi në prill 2025, kur përmes shoqërisë ‘Timak’, ku ai është aksioner, përfitoi 80% të aksioneve të kompanisë shtetërore ‘Timak Defence’, duke marrë kështu monopolin e industrisë së armatimit në vend.
Kjo lëvizje nuk ishte rastësi. Pak muaj para zgjedhjeve të 11 majit, Yeffet u shfaq aktiv në aktivitete politike të Ramës, madje edhe në Vlorë, ku festoi e kërceu pas mitingjeve elektorale të kryeministrit. Në të njëjtën kohë, Rama kishte gati vendimet për t’i dorëzuar mikut të tij monopolin e tregtimit të armëve shqiptare – një akt i paprecedentë që cenon sigurinë kombëtare dhe ia kalon atë në duart e një biznesmeni të huaj.
Nuk është hera e parë që emri i Yeffet lidhet me aferat e Ramës. Vite më parë, kryeministri kishte tentuar t’i jepte atij me koncesion madje edhe menaxhimin e buxhetit të Shqipërisë. Sot, ky bashkëpunim i errët ka hyrë në një fazë të re, ku industria ushtarake shqiptare po kalon nën kontrollin e plotë të lobit izraelit të afërt me Edi Ramën./gazetaimpakt

















