Të tjera ndryshime në drejtimin e Bashkisë së Tiranës pas shkarkimit të Anuela Ristanit, nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Mësohet se edhe Sekretari i Përgjithshëm, Eldi Hoxha, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Pas dorëheqjes së Hoxhës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka komanduar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm Alban Dokushin.
Kujtojmë që Alban Dokushi merr postin pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila vendosi rikthimin e tij në detyre.
Sjellim në vëmendje se më 28 gusht, Veliaj i hoqi kompetencat për drejtimin e bashkisë.
Vendimi erdhi pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli për më shumë se një vit.
Sipas vendimit të Veliajt, rrethanat institucionale kanë ndryshuar pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë arsye, ai vlerëson se nuk ka më arsye për vijimin e delegimit të kompetencave te Ristani.
Veliaj pretendon gjithashtu se gjatë kësaj periudhe ka pasur mungesë informimi dhe koordinimi institucional, si dhe moszbatim apo refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit të zgjedhur nga kryetarja e deleguar.
Reagimi i Ristanit
Në një reagim në rrjete sociale, Anuela Ristani shprehet se largohet me krenari dhe përulësi pas më shumë se një dekadë në shërbim të qytetit.
Teksa shpreh mirënjohje për ata me të cilën ndau punën, Ristani përcjell edhe një mesazh duke përmendur kohën, ndërsa thekson se ajo është “gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm”.
“Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.”, shkruan mes të tjerash ajo./panorama
















