Pas zbulimit të plagjiaturës, reagon Evis Kushi, por nuk thotë asgjë, publikon foto kur ishte studente!

Ministrja e re e arsimit, Evis Kushi, ka reaguar në rrjetet sociale, pasi u zbulua se ajo ka bërë plagjiaturë në një punim shkencor ku është bashkëautore.

Në vend të sqarojë pretendimet që janë ngritur ndaj saj dhe provat kokëforte që ekzistojnë, se ka kopjuar punimin e Eric Chang, në  atë  kohë  asistent profesor në  Universitetin e Michigan, Kushi ka falenderuar mbështetësit e saj dhe ka publikuar një foto nga koha kur ishte studente. (reagim i plotë më poshtë).

Ajo gjithashtu deklaron se ka përfunduar doktoraturën në Mbretërinë e Bashkuar, a thua se ky fakt e shfajëson nga akuzat për plagjiaturë.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Edi Rama “vuri dorën në zjarr” për Evis Kushin, duke u shprehur se ka garanci që ajo “nuk është subjekt i plagjiaturës, sepse e ka bërë doktoraturën në Angli”.

Reagimi i Evis Kushit:

Të dashur miq,
Ju falenderoj pa masë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Kur mora doktoraturën në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve.
Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve!/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne