Milazim Krasniqi
Cilat ishin pasojat kulturore dhe shoqërore të këtij sundimi të gjatë romak? E para, me këto luftëra dhe me këtë sundim shkatërrohen edhe ato institucione fisnore, parashtetërore e shtetërore të ilirëve, kështu që ata nuk kanë më në funksion institucione të vetat nëpërmjet të cilave do të mund të kultivonin kulturën dhe identitetin e tyre, qoftë kulturor apo etnik. Me këto pushtime ndodh edhe humbja e rëndësisë ushtarake e edhe kulturore të qyteteve si Rizoni dhe Shkodra dhe të dhjetëra qyteteve të Ilirisë së Jugut dhe të Epirit, që i shkatërroi përfundimisht fushata e Paul Emilit dhe e Anicit. Pra, shkatërrimet më fatale erdhën pas humbjes së Gentit, sepse pushtuesi romak shkatërroi dhe plaçkiti qytetet kryesore ilire e epirote.
Çfarë ndodh me popujt kur e humbin rëndësinë qytetet e tyre? Ata ekskomunikohen, duke u ruralizuar, ashtu që kultura elitare apo kultura në përgjithësi nuk zhvillohet. Koncepti themelor i kulturës elitare zhvillohet në qytete, si ndërkomunikim intensiv, ndërsa kur qytetet zhbëhen, kultura nuk mund të zhvillohet.
Pasoja e dytë dhe më e dëmshme e sundimit romak ka qenë procesi i Romanizimit dhe integrimi në kulturën romake. Sundimi romak përfshinte tërë hapësirën ilire dhe imponoi kulturën romake, që ishte kulturë e lartë, në krahasim me atë ilire. Ndikimi i kulturës romake vinte kryesisht përmes ushtarëve ilirë që rekrutoheshin në ushtri, të cilët mësonin latinishten, mësonin zakonet e shoqërisë romake dhe kur ktheheshin vendin e vet, ata praktikonin ato zakone, dhe ashtu ndodhte përhapja e latinishtes ndër ilirët dhe braktisja masive e ilirishtes. Ky fenomen e ka shteruar substancën më të madhe etnike të ilirëve në gjithë hapësirën e Dalmacisë, Istrisë, Sllavonisë, Panonisë, deri në Detin e Zi, dhe po ashtu deri në Alpe. Noel Malkolmi konstaton:
“Ilirët, të cilët kishin jetuar në rrafshinat bregdetare u romanizuan, si ata të bregdetit dalmatin, ashtu edhe ata të pjesës dërrmuese të trojeve të ish-Jugosllavisë. Në kohën kur sllavët zunë të arrinin në shekullin VI, kishin mbetur vetëm grupe folësish të gjuhëve “barbare” në Ballkan, dhe të gjithë ata ndodheshin në viset malore” (Malkolm: 35)
Ndërsa, Peter Bartli pohon:
“Territori i Shqipërisë së sotme bashkë me pjesë të mëdha të Gadishullit Ballkanik në vitet 200-100 para Kr. iu nënshtrua suksesivisht Romës. Bashkë me armatën dhe administratën romake, vendit iu imponua edhe gjuha latine. Rreth vitit 300 pas Kr. procesi i Romanizimit ishte përmbyllur në pjesën më të madhe. Vetëm në disa zona malore ishin ruajtur ende gjuhë të moçme ballkanase- ndër to edhe ajo e shqiptarëve të kryehershëm. Po ku shtrihej kjo zonë relikte e kryehershme shqiptare? Sipas të gjitha gjasave këtu bëhej fjalë për një zonë të mbyllur malore. Stadmylleri vjen në përfundim që është e mundur të kemi të bëjmë me zonën e Matit në Shqipërinë Veriore. Mati rrethohet nga të gjitha anët me vargmale të larta dhe i dëshmon të gjitha parakushtet për një zonë relikti. Zona e Matit feks të mos ketë qenë përfshirë nga Romanizimi dhe të ketë mbetur jashta zonës së mujshisë direkte të Romës”
(Bartl: 20)
Romanizimi jo vetëm që nuk lejonte të zhvillohej kultura në gjuhën ilire por edhe atë kulturë e cila ekzistonte, e dëmtoi dhe e bëri inferiore, sepse kultura romake ishte kulturë e lartë perandorake. Kjo është njëra nga arsyet kryesore pse ilirët jo vetëm për shkak të gjeografisë, por për shkak të kësaj historie të pushtimeve nuk kanë arritur të krijojnë një kulturë në gjuhën e tyre. Romanizimi i asimiloi shumicën e ilirëve, duke e shkaktuar rrallimin demografik dhe defaktorizimin e tyre në gadishull, si dhe pamundësoi krijimin e një kulture shkrimore në gjuhën ilire. Pra, sundimi romak përmes Romanizimit, ka shkaktuar pasojat më të rënda demografike e kulturore, sepse i ka absorbuar energjitë kryesore të ilirëve, duke i asimiluar në romakë dhe duke e përgatitur terrenin për shndërrimin e tyre në sllavë, pas invazionit sllavë në shekujt VII-VIII.
Kjo shterje e energjive të ilirëve dhe e forcimit të energjive të romakëve me anën e asimilimit të ilirëve në romakë, shihet edhe në zhvillimet politike e pushtetore në Romë. Si rezultat i këtij asimilimi masiv e sigurisht edhe për shkak të dinamizmit që i ka karakterizuar ilirët, ilirët e konvertuar në romakë, arrijnë të marrin poste të larta në hierarkinë shtetërore dhe ushtarake të Romës. Në këtë proces të afirmimit të ilirëve të romanizuar në hierarkinë shtetërore romake, ndodhin gjëra që duken të habitshme. Fjala vjen, në shekullin III të erës sonë, Perandoria Romake ndahet në katër pjesë administrative (ky model i organizimit është quajtur ‘Tetrarkia’.) Të katër pjesët e Perandorisë Romake janë sunduar nga katër burra me prejardhje ilire: Diokleciani, Maksimilani, Galeri dhe Konstanci. (Konstanci ka qenë babai i Konstandinit të Madh, themeluesit të Perandorisë Bizantine). Pra, këta katër burra kishin prejardhje ilire, por ata ishin shndërruar në romakë dhe natyrisht që i kanë shërbyer Romës. Pikërisht ai asimilim masiv i ilirëve në romakë mundësoi përthithjen e energjive të ilirëve në shërbim aq masiv e domethënës në llogari të sunduesit romak. Për shkak të inferioritetit kulturor dhe dëshirave për të kompensuar mungesat e mëdha në historinë tonë, ka zëra që mburren me këta e kësi sundimtarësh, që kanë pasur prejardhje ilire e shqiptare, por që energjitë e veta i kanë vu tërësisht në shërbim të sunduesve të huaj. Realisht, prejardhja etnike vetvetiu nuk domethënë asgjë, sepse ka njerëz që kanë prejardhje etnike shqiptare dhe u kanë bërë dëm shqiptarëve. (Këtë e kemi parë edhe në historinë e re të vetë Kosovës gjatë sundimit të saj nga serbët në ish-Jugosllavi.) Periudha e gjatë e sundimit romak, pra, karakterizohet me një lloj dekompozimi demografik e dekulturimi të popullsisë vendase ilire deri në masën sa ata nuk arrijnë të prodhojnë asnjë pllakë argjile ose pergamene në gjuhën e tyre. Territoret e tyre të mëdha u humben dhe ata ilirë që i mbijetuan Romanizimit, jetuan në një zonë të vogël rurale e relikte në krahinën e Matit, sikundër na njofton Peter Bartli./fb
















