Ushtria izraelite tha të mërkurën se ka vrarë operativë të Hezbollahut dhe ka arrestuar të tjerë në jug të Libanit, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit me Libanin.
Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi të mërkurën herët për t’i dhënë fund luftimeve më shumë se 14-mujore midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut.
“Ushtarët identifikuan të dyshuarit që iu afruan zonave të ndaluara, i ndaluan dhe qëlluan me të shtëna paralajmëruese. Ne gjithashtu vramë ‘terroristë’ sot”, tha zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari gjatë një konference për media në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv.
Ai vuri në dukje se avionët luftarakë izraelitë po vazhdojnë të patrullojnë në hapësirën ajrore libaneze, duke paralajmëruar se “çdo shkelje e marrëveshjes do të përballet me zjarr”.
“Armëpushimi me Libanin hyri në fuqi të mërkurën në mëngjes”, tha Hagari, duke theksuar se roli i ushtrisë izraelite është të zbatojë marrëveshjen. Më herët të mërkurën, dy gazetarë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite në qytetin jugor të Libanit, Khiam, ndërsa mbulonin kthimin e civilëve të zhvendosur në zonë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve NNA.
Hagari tha se forcat izraelite vranë operativë të Hezbollahut dhe arrestuan të tjerë në jug të Libanit, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Aeroplanët luftarakë, nën drejtimin e Drejtorisë së Inteligjencës, goditën vendin më të madh të prodhimit të raketave të drejtuara me saktësi të Hezbollahut në zonën Janta të Bekaas”, shtoi ai.
Zëdhënësi ushtarak tha se forcat izraelite goditën një kompleks për Njësinë Radwan, forcën elitare ushtarake të Hezbollahut, në të njëjtën zonë.
Deri më tani, Hezbollahu nuk i është përgjigjur pretendimeve të ushtrisë izraelite. Megjithatë, në deklaratën e parë pas armëpushimit, grupi përsëriti angazhimin e tij për të monitoruar tërheqjen izraelite nga Libani jugor, me luftëtarët e tij që mbeten në gatishmëri të lartë.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të “Vijës së Kaltër” në një mënyrë me faza, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në jug të Libanit brenda një periudhe që nuk i kalon 60 ditë.
Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca. Megjithatë, detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta. Mbi 3.800 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze./AA