“Pavarësisht nga rezultati i luftës, qëndrimi i drejtë i palestinezëve është shenjë e fitores”

Filozofi dhe mendimtari maroken, Taha Abdurrahman, ka theksuar se qëndrimi i drejtë i shfaqur nga palestinezët është një lloj “fitoreje” pavarësisht se cili do jetë rezultati i luftës që Izraeli ka nisur kundër Rripit të Gazës. Mendimtari maroken Abdurrahman, ekspert i filozofisë morale dhe logjikës, foli për Anadolu mbi sulmet ajrore, detare dhe tokësore që Izraeli vazhdon ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori dhe të cilat kanë marrë afro 25 mijë jetë deri më tani.

“Populli i Gazës i tregoi botës përsëri se si të jetohet. Ajo që po ndodh në Gaza është ringjallja e vlerave të vdekura”, deklaroi Abdurrahman. Duke theksuar se qëndrimi i drejtë i paraqitur nga Palestinezët është një lloj “fitoreje”, Abdurrahman u shpreh se, “Qëndrimi i drejtë është tipari më dallues si për civilët edhe për ata që bëjnë rezistencën. Pavarësisht nga rezultati i luftës, ky qëndrim i drejtë është shenjë e fitores”.

Abdurrahman vlerësoi “Tufanin e Aksasë” që krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, kryen kundër Izraelit më 7 tetor, si dhe tha se Izraeli ishte një shtet pushtues dhe Hamasi ka mbrojtur veten e tij. Duke theksuar se rajoni i shënjestruar nga Brigadat Kassam më 7 tetor nuk është një pjesë e Izraelit e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB) në vitin 1948, Abdurrahman tha se ky rajon u pushtua nga Izraeli në vitin 1967.

Afrika e Jugut hodhi një hap të pa hedhur nga askush tjetër

Abdurrahman foli për çështjen e “gjenocidit” që Afrika e Jugut ngriti kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Sipas tij, Afrika e Jugut hodhi një hap të pa hedhur nga askush tjetër dhe se me këtë rast duhet të konfirmohet se Hamasi ishte në pozicion vetëmbrojtjeje. Më tej, Abdurrahman tha se GJND-ja në vitin 2004 ka shprehur mendimin e saj se ndërtimi i Murit Ndarës nga ana e Izraelit në Bregun Perëndimor nuk ishte i ligjshëm dhe i kërkoi Izraelit të prishte murin dhe se kjo nënkupton se Izraeli nuk ka të drejtë të vetëmbrohej si shtet pushtues.

“Regjimet arabe nën tutelën e SHBA-së”

Lidhur me qëndrimin e vendeve arabe në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza, Abdurrahman tha: “Qëndrimi i regjimeve arabe dihet, ata janë nën tutelën e SHBA-së. Ata nuk mund të bëjnë asgjë. Për më tepër, ka pasur ndarje midis Hamasit dhe qeverive arabe kohët e fundit. Edhe kjo është ana politike e çështjes”.

Për ndërhyrjen e SHBA-së në rajonin arab, Abdurrahman deklaroi: “Vendet arabe e kundërshtojnë këtë, por ata nuk bëjnë asgjë kundër kësaj ndërhyrjeje. Edhe pse populli arab është i fortë, regjimet e tyre janë të dobët. Regjimet nuk marrin fuqi nga populli, përkundrazi u drejtohen segmenteve të tjera. Edhe pse atje ka disa njerëz në mesin e këtyre regjimeve që janë në solidaritet me çështjen palestineze, ata nuk janë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëdha, veçanërisht në nivel zyrtar”.

“Umeti nuk ka shpirtin për të shpëtuar nga poshtërimi nën të cilin ndodhet”

Më tej, Abdurrahman theksoi se ata që kanë një rol në çështjen palestineze kanë një vetëdije shpirtërore dhe ndjenjë të fortë përgjegjësie. Ai shtoi se të gjithë, veçanërisht ata që ndihen përgjegjës para Zotit, duhet ta mbështesin Palestinën me aq sa munden.

“Njeriu në këtë situatë nuk mund të flasë, në këtë rast vetëm mund të qahet. Duhet të qajmë jo vetëm për të vdekurit dhe të plagosurit në Gaza, por edhe për situatën në të cilën ndodhemi. Jemi nën poshtërim të madh. Umeti nuk ka shpirtin për të shpëtuar nga poshtërimi nën të cilin ndodhet”, tha Abdurrahman.

“Tek jemenasit ka një besim të fortë”

Në lidhje me shënjestrimin e anijeve që shkojnë në Izrael në Detin e Kuq, nga rebelët Houthi në Jemen, Abdurrahman vlerësoi se, “Kjo frymë është e pranishme në Jemen. Është një çështje më vete që Houthit mbështeten nga Irani. Megjithatë, tek jemenasit ka një besim të fortë. Kjo është arsyeja pse ata kaluan në veprim, edhe pse i mbështet apo nuk i mbështet Irani. Jemenasit kanë fuqinë për të kapërcyer vështirësitë. Ata që nuk e kanë këtë fuqi nuk mund të ndërmarrin veprime”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne