Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj fushatës së qeverisë për pensionistët, duke e cilësuar atë si një “shou të radhës” të orkestruar nga mazhoranca socialiste.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se kjo fushatë është një cirk i telekomanduar, ku 780,000 pensionistë përdoren për përfitime politike, ndërsa realiteti i buxhetit është krejtësisht ndryshe.
Sipas Tabakut, buxheti i miratuar në shtator tregoi qartësisht prioritetet e kësaj qeverie. Ndërsa qeveria ndau 73 milionë euro më shumë për koncesionet e PPP-ve krahasuar me fillimin e vitit, pensionistëve u është ndarë një pjesë minimale – pesë herë më pak se ajo që iu dha oligarkëve. “Kjo është një qeveri që përfaqëson një pakicë, që nuk dëgjon zërin e qytetarëve të saj,” u shpreh Tabaku.
Ajo bëri thirrje për një qasje më të drejtë ndaj pensionistëve dhe qytetarëve, duke theksuar se politikanët duhet të flasin me veprime, jo me fjalë boshe./BW