PËR MIQTË E MIJ QË DUAN TË DINË TË VËRTETËN

Nga Xhafer Sadiku
Lexova një shkrim të Prof. Sazan Gurit ku radhiste dymbëdhjetë arsye pse duhen dashur pakëz më shumë malësorët ose për disa mortje “malokët”.
Unë pajtohem me Z. Guri për dashurinë që duhet të tregojmë për malesoret, por, kur është fjala për argumentet, këtu ndahemi.
Unë i dua malësorët jo për ato arsye që i do Sazani, por për sakrificat e tyre shekullore për të përballuar jetën e vështirë në zonat malore dhe për vlerat e tyre.
Thënë këtë, më duhet të mendoj: a kemi ne të njëjtin standart kur arsyetojmë për një çështje. Psh, kë mund të quajmë malësi dhe malësorë?! A janë malësi, fjala vjen, Lunxhëria, Zagoria, Himara, Labëria, Dëshnica, Dangëllia, Rreza, Kolonja, Skrapari, Martaneshi, Çermenika, Dibra, Mati, Lura etj?! A janë malësorë banorët e këtyre viseve? (Lexoni: Amedeo Virgilj, Antonio Baldaci, Di Cesaro, Durham, etj)
Në Perandorinë Osmane të gjitha zonat kodrinore-malore të Shqipërisë ishin në sistemin e venomeve dhe te se drejtes zakonore dhe nuk kishin kontakte me ushtri të huaja.
Sipas pikës së parë, autori thotë se ata që u ngjitën në mal i shpëtuan përdhunimeve të huaja. A mund të na thotë autori se ne cilat zona fushore kanë ndodhur përdhunimet dhe nga cili pushtues?!
Në pikën e dytë, autori shprehet: Ata në mal ruajtën Kanunin, Doket, Kafkën shqiptare, Gjakun shqiptar, veshjet më të vjetra të njerëzimit.
Mirëpo, edhe nxënësit me tetë klasë e kanë mësuar se kultura kombëtare shqiptare, duke përfshirë edhe veshjet, është e pasur dhe e larmishme dhe shtrihet nga jugu i Çamërisë dhe deri në veri të Kosovës. Shqiptarët janë qeverisur nga shqiptarët dhe me të drejtën zakonore (kanunet). (Kush kerkon të dijë më shumë të konsultohet me autorët e vjetër italianë, gjermanë, anglezë etj, ne Biblioteken Kombetare).
Teoria e “gjakut të pastër” është teori fashiste që është përhapur por edhe goditur që në fillim të shekullit XX. Qysh atehere Faik Konica, në revistën “Albania”, u kthente përgjigje idiotëve të kohës së tij. (Lexoni gazetën në fjalë).
Autori thotë se në Malësi janë më të mëncur e më të bukur!
Po në zonat fushore dhe qytete nuk qenkan të bukur e të mencur?! Kudo ku kam udhëtuar në Shqipëri kam takuar njerëz të bukur dhe të mencur.
Sipas autorit, ata kishin shkolla që më 1216 dhe shkruanin libra, ndërsa të tjerët ishin në shpella!
Këto janë përralla që mund të gënjesh injorantët. Një njeri i zakonshëm të pyet: ku i ke provat? Më 1216 vendi ishte nën pushtimin e kryqëzatës së katërt. Ata e hapën shkollën?! Po ata që ishin në shpella, a ishin shqiptarë?!
Me pikat e tjera nuk po merrem se janë fantazi qesharake. Shqiptarët janë një etni, nje komb, një kulturë dhe një gjuhë.
Këtyre u ka kthyer përgjigje Ndre Mjeda në kohën e tij kur thoshte:
Gegë e Tosk, Malësi Allia/ Janë një komb m’u nda s’duron/ Fund e maja nji a Shqypnia/ Se një gjuhë të gjithë na bashkon.
-0-
Shkruan Prof. Sazan Guri
DYMBËDHJETË ARSYE PSE DUHEN DASHUR PAKEZ MË SHUMË MALËSORËT OSE PËR DISA MORTJE ‘MALOKËT’
1. Në mal ngeli gjaku shqiptar, sepse ata që u ngjitën në mal i shpëtuan përdhunimeve të huaja dhe pushtimet e tyre shkuan si uji në shpinë të rosës;
2. Ata në mal ruajtën Kanunin, Doket, Kafkën shqiptare, Gjakun shqiptar, veshjet më të vjetra të njerëzimit;
3. Ata në mal na bëjnë të jemi njësh me gjermanët, zviceranët, francezët kafke gjerë, si dhe me albanët skocezë;
4. Ata në mal janë më të mencur se kanë O2 dhe O3 më shumë;
5. Ata në mal janë më të bukur, se forca e rëndesës është më e vogël dhe i bënë elegant, jo të shkurtër e vithgjerë,
6. Ata ata ishin me Shkolla (qysh më 1216), të tjerët ishin në shpella,
7. Ata shkruanin libra, të tjerët (evropiane e shqiptarë) ishin në epokën e gurit,
8. Kur ata luftonin me presionet e fqinjëve, të tjerët ishin në mejhane, duke luajtur tavëll turke me hile,
9. Gjuha e tyre sa fisnike dhe punëtore, pasi i la radhën se mos zhdukesh gjuhës toske, na jep mundësinë të rrokim e të zbërthejmë gjuhët e tjera europiane;
10. Jo rastesisht, pesë gjeneralët e mëdhenj të botës janë nga mali, Akili, mirmidon nga Mirëdita, nip në malet e Epirit te kaonët, Aleksandri i Madh nga Mati (Filipi) dhe malet e Kaonisë (Olimbia), Pirro Burri nga Mollosia (malësia e Epirit), Skënderbeu nga malet e Dibrës apo nga Kastrati i Malësisë së Madhe, apo nga Mati, apo nga Hasi kthehe nga të duash del malësor apo malok për ca mortje, dhe Bonaparti nga Malësia, ikur pas 1389 në Man të Peloponezit, e më pas në Korsikë.
11. Janë këta 400 ‘malokë’ Dardanë që ngritën Romën e lashtë, pastaj janë 400 malokë ilirë që kanë formuar Britaninë (ka një vepër evropiane kushtuar këtij eksodi), më pas 400 të tjerë shkuan e formuan Albaninë (Skocinë), ku edhe sot shkruhet mirësevini në Albany, më pas Irlandën dhe më pas fare, 400 prej tyre, në kohën pasi iu pre koka Oliver Cromëellit shkuan e formuan Amerikën, ku gëlojnë me qindra emra deri në shtete Albany………
12. Ja pse duhet me qenë krenar pse je malësor, dhe verior po deshën ca mortje, që në fakt janë nga pjesa e epërme, jo rastësisht i epërm, i sipërm, natyror, gjenetik, autokton, levendas, indigjen, amazonas apo aborrigjen! Ja pse syresh të caktuar qofshin edhe persona të drejtësisë apo qeverisë apo të Shik-ut iu thërrasin ‘malok’, sepse tremben, frigohen dhe ndjehen keq nga prania e një malësori, sepse:
• Ai është njeriu parahënor kur thoshte Hesiodi edhe Homeri, sepse ai është gjigandi ‘gega-giga-giant’, prej të cilit lindi jeta dhe kultura civile;
• Ai është me kafkën më të bukur në botë;
• Ai është me gjakun më shqiptar në botë – zero negativ, pikërisht me atë të quajtur EV13;
• Ai është më mikpritësi, më bujari, më kreshniku, veçse ruhu të mos e prekësh në pikat nevralgjike të karakterit njerëzor, sespe ai kësisoj ka të drejtën e Zotit, më sakt të Zeusit që të shtjerë e të qëlloj më çomang që di kur e përdor;
• Ai është më dinjitozi, më prestigjiozi, më krenari, ku edhe spartani më i zellshëm ja ka zili këto karaktere;
Ndaj, ai është mbi njeriu që fliste e shkruante Fridrih Niçe!?/Gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne