Rajoni

Përçahet edhe Lëvizja BESA në Maqedoni, shkarkohet kryetari

Përçarjet në Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë, duket se janë “transferuar” edhe në Maqedoni me partinë dikur aleatë, Lëvizjen BESA.

Kryesia e kësaj partie ka shkarkuar nga detyra kryetarin Bilall Kasami me arsyen e rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet lokale në Maqedoni të zhvilluar pak muaj më parë.

“Sot në mbledhjen e Këshillit Qendror ishin shumica e anëtarëve, 64 nga gjithsej 108 anëtarë. Këtu ishin edhe tre deputetë të Lëvizjes BESA si dhe nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA. Në këtë mbledhje, mes tjerash u diskutua edhe për rezultatin zgjedhor në zgjedhjet lokale, përgjegjësia për bllokimin dymujor të organeve të partisë nga kryetari por edhe shkelja e statutit të Lëvizjes BESA nga ai. Për këto arsye sot Këshilli Qendror, në mënyrë unanime vendosi shkarkimin e Bilall Kasamit nga detyra e kryetarit të partisë. Për këtë do të njoftohen edhe organet e drejtësisë”, tha Orhan Murtezani.

Sot poashtu u vendos që të miratohet rregullorja për organizimin e Kongresit të Lëvizjes BESA, kurse si udhëheqës i Komisionit Organizativ do të jetë deputeti Nexhbedin Kahremani.

Siç njoftoi Murtezani, Kahremani do të bart edhe postin ushtrues detyre të kryetarit të Lëvizjes BESA.

Kongresi i partisë së Lëvizjes BESA do të mbahet më 24 shkurt të 2018-s.

Nëse Bilall Kasami nuk e pranon vendimin, nga BESA nuk sqaruan se çfarë do të ndodh më tej, por se thanë për informata shtesë do të njoftojnë me kohë”. Orhan Murtezani gjithashtu bëri me dije “se brenda partisë së BESA-s ekzistojnë struktura paralele dhe se nga e hëna do të fillojë procesi zgjedhor brenda partiak. Secili anëtar i partisë mund të kandidojë për cilindo post”, tha Murtezani.

Vetë Kasami reagoi ashpër duke e cilësuar këtë vendim të paligjshëm dhe jashtë statusit të partisë. Edhe hyrja në selinë e saj në kryeqytet sipas tij u bë në mënyrë ilegale ashtu sikurse, siç këmbëngul ai, janë manipuluar edhe faqet zyrtare në Facebook.

“Këshilli Qendror ashtu siç u thirr zyrtarisht ka mbajtur mbledhje në Tetovë dhe i ka sjellë vendimet ashtu siç ka qenë me rend, ashtu siç parashihet më statusin e partisë. Ata me çdo veprim që e kanë bërë, kanë bërë shkelje të statusit dhe kanë dëmtuar Lëvizjen BESA. Ata kanë hyrë në mënyrë ilegale në selinë në Shkup ashtu siç e hakuan edhe faqen time personale dhe të Lëvizjes. Sipas të gjitha normave statusore është mbajtur mbledhja në Tetovë, ashtu edhe u sollën vendimet që tashmë dihen për publikun”, tha Kasami.