Përfundon takimi Lajçak- Bislimi, ja çfarë paralajmëroi i dërguari i BE për dialogun

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se me kryenegeciatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, bisedoi për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb.

Pas takimit në Prishtinë më 5 mars, Lajçak paralajmëroi një takim të ri të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel “në ditët në vijim”.

Ai tha se më 27 shkurt në Bruksel, në nivel ekspertësh u diskutua për çështjen e dinarit, por disa aspekte të rregulloresh është dashur të diskutohen me Bislimin.

E di që kemi pasur takimin javën e kaluar në nivel ekspertësh në Bruksel. Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por, janë disa pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj të organizoj një takim të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, tha Lajçak.Për çështjen e dinarit, BE-ja kishte thirrur një takim më 27 shkurt, në të cilin nuk kishte marrë pjesë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por udhëheqësit e Bankës Qendrore të Kosovës.

Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutën me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Rregullorja është kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se ai u mor pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet te popullata serbe./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne