Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi sot se Gjykata ka pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të kompanisë “Integrated Energy B.V SPV” , e cila kontrollon inceneratorin e Tiranës. Sipas prokurorisë dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të përfshirë dhe në ndërtimin e dy impianteve të tjerë të ngjashëm për trajtimin e mbetjeve, në Elbasan dhe Fier, rezultojnë të jenë pronarët “de facto” të kësaj shoqërie. Përmes faturave falso, të dy sipërmarrësit rezulton të kenë përfituar afro 4 milionë euro
Kontrata për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të kryeqytetit, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milion euro (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Pas emrit të kompanisë qëndronte një tjetër me seli në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, e cila më pas ndryshoi emrin në “Geogenix B.V”, ndërkohë që zotëruesit e tyre mbetën të paqartë.
Njoftimi i sotëm i Prokurorisë së posaçme, vë në dukje se dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Ebasan dhe Fier.
Nga hetimet ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare. Prokuroria shpjegon se “është evidentuar fakti se dy sipërmarrësit, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. apo dhe shoqërinë mëmë në Hollandë.
Sipas prokurorisë, dy sipërmarrësit kanë përfituar po ashtu afro 4 milion euro duke përdorur fatura të falsifikuara tatimore. “Zoto ka paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Technology Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare të Tiranës.. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë Zoto dhe Mërtiri”, nënvizon Prokuroria.
Për këtë arsye, nën sekuestro, përveç shoqërisë koncensionare të impiantit në Tiranë, është vënë dhe kompania e Zotos, “Integrated Technology Services”, e cila ka një tjetër masë sekuestroje që prej vitit të shkuar, për rastin e Fierit.
Në njoftimin e sotëm Prokuroria bën të ditur, po ashtu se nën sekuestro preventive, është vendosur dhe një sipërfaqe prej 611 m2 me vlerë 1 milion euro, e cila është në emër të shoqërisë “F.M.O”. Sipas prokurorisë “është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k”, dhe se blerja e pasurisë për llogari të kësaj kompania është realizuar përmes të ardhurave të siguruara nga përfitime të paligjshme.
Gjashtë vjet pas nënshkrimit të kontratës, në kryeqytet funksionon vetëm landfilli, ndërsa inceneratori nuk ka nisur as të ndërtohet. Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e Tiranës, ndërsa për Elbasanin dhe Fierin, hetimet janë mbyllur dhe çështjet janë drejt përfundimit dhe në Gjykatën e posaçme të shkallës së parë.
Vendimi i sotëm i SPAK-ut u përshëndet nga opozita e cila prej vitesh e ka patur këtë çështje një kalë të fortë beteje, kundër qeverisë së Kryeministrit Rama, i cili në mënyrë të përsëritur, i ka mbrojtur publikisht projektet e inceneratorëve, të cilat kanë çuar përballë drejtësisë, ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ndërsa ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në bankën e të akuzuarve është dhe ish deputeti Alqi Bllako si dhe zyrtarë të ndryshëm të institucioneve qëndrore dhe lokale. Një listë që me gjasë pritet të zgjerohet, ndërsa hetimet për rastin e Tiranës janë ende në vijim.
I vënë në shënjestër të akuzave nga opozita për inceneratorin e kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi sot duke shkruar në Twitter se “histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga “Non Gratat” s’e kanë marrë vesh akoma që jemi në epokë tjeter!”.
Zoti Veliaj e konsideron sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës dhe “heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK, është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik. Bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdojë pa u ndalur, punën për një Tiranë që sot është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit të Sharrës, nga një kancer urban, në një fushë sanitare, me standardet e duhura mjedisore”, shkruajti kryebashkiaku Veliaj./TPZ