“(Çarls) Kiting kryen dënimin prej dhjetë vjetësh për rolin që luajti në skandalin e shoqërive të Kursim-Kreditit – që padyshim është një nga ngjarjet më të mëdha të mashtrimit në historinë amerikane. Në fillimin e viteve 1980, gjatë viteve të lulëzimit ekonomik dhe derregullimit në mandatin e parë të Reganit, Kiting, ndërmjet operatorëve të tjerë, farkëtoi një sulm të vazhdueshëm dhe kriminal ndaj depozitave të investitorëve të vegjël në SHBA. Metoda e tij ishte përdorimi i prospekteve të falsifikuara dhe ryshfeti politik. (Në të folurin popullor në Uashington ende përdoret shprehja “Të pestët e Kiting” që të kujton pesë senatorët e SHBA-së të cilët i bënë atij favore kundrejt përfitimit të donacioneve të mëdha për fushatat duke dhënë para e njerëzve të tjerë)…
Në kulmin e suksesit të tij si hajdut, Kiting dha donacione (sigurisht jo nga xhepi i tij) për Nënë Terezën në shumën prej 1.25 milionë dollarë. E la të përdote avionin e tij privat dhe në këmbim Nënë Tereza e lejoi Kiting të përdorte prestigjin e saj në disa raste të rëndësishme, si dhe i dha një kryq të personalizuar, të cilin ai e merrte kudo me vete.
Më së fundi, në vitin 1992 pas një serie krizash politike dhe financiare dhe operacionit më të madh të ndërhyrjes për shpëtim në historinë e taksapaguesve amerikanë, Kiting doli para gjykatës. … Gjatë gjykimit Nënë Tereza i shkroi gjykatësit (Ito) për të kërkuar mëshirë për z. Kiting.”
Në letrën që shpreh mosdije për veprimtarinë e Kiting, ndër të tjera thuhet: “Di vetëm që ai gjithnjë ka qenë i sjellshëm dhe bujar me të varfrit e Zotit, dhe gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar sa herë ishte nevoja. Është pikërisht për këtë rasye që nuk dua ta harroj tani, kur ai dhe familja e tij po vuajnë”.
Zëvendësprokurori i rajonit të Los Anxhelosit, Pol Tërli, që kishte marrë pjesë në hetimin e Kiting, në përgjigjen e tij shpjegon shkurtimisht krimet për të cilat akuzohet Çarls Kiting dhe i sugjeron që të kryejë aktin moral dhe etik e të kthejë mbrapsht paratë te pronarët e vërtetë. Ndër të tjera zëvendësprokurori shprehet: “Nuk është e pazakontë që “mashtruesit” të jenë bujarë me familjen, miqtë dhe bamirësitë. Ndoshta besojnë se bujaria e tyre do të blejë dashurinë, respektin dhe faljen. Koha kur blerja e “indulgjencave” pranohej si mënyrë për të kërkuar falje ka mbaruar me Reformimin. Asnjë kishë, bamirësi apo organizatë nuk duhet t’ia lejojë vetes të përdoret si shpëtim për ndërgjegjen e kriminelit. Të gjithë jemi mirënjohës që mund të marrim faljen, por të gjithë ne duhet të bëjmë detyrën tonë. Dhe kjo përfshin Gjykatësin dhe Jurinë. Kujtoj fjalën biblike të Profetit Mikea: “O njeri, ç’është e mira dhe ç’kërkon Zoti prej teje. Të japësh drejtësi, dashuri, mëshirë dhe të jetosh në përulësi”. Na shtyn të duam mëshirën, por ne duhet të japim drejtësi…”. (Marrë nga libri i Christopher Hitchens “The Missionary Position. Mother Teresa in theory and practice”, 1995).
Ky shkëmbim letrash ndërmjet një misionareje dhe bamirëse fetare, që natyrshëm priret nga mëshira, dashuria pa dallim dhe nevoja për të treguar mirënjohje për çdokënd që ka ofruar ndihmë apo donacion në një moment, me një punonjës drejtësie, që ligji dhe shoqëria i ka dhënë detyrën e hetimit dhe ndëshkimit të mashtruesit e ryshfetxhiut, na sjell një mësim të mirë për një përballje jo kaq fisnike që po ndodh sot në media dhe derë të SPAK / GJKKO me rastin e ndalimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj. Sado madhështore, bujare apo hyjnore të jetë ndihma e mbështetja që kryebashkiaku i Tiranës ka dhënë ndër individë kryesisht të fushës së artit e spektakleve (pa diskutuar nëse ka qenë e merituar apo jo) nuk është arsye e mjaftueshme për t’iu kundërvënë, penguar e njollosur procesin e drejtësisë. Sepse dhe vetë fjala e profetëve të parën ka “drejtësinë”. /VNA