Bota

Përplasje me separatistët rusë, “përshkallëzohet” situata në lindje të Ukrainës

Ushtria ukrainase tha se forcat e saj kanë vrarë katër luftëtarë separatistë dhe kanë plagosur edhe gjashtë të tjerë, ndërsa separatistet kane vrarë një ushtar ukrainas. Përplasjet vijnë vetëm një ditë para se në Ukrainë të mbahen zgjedhjet presidenciale.

Që prej prillit të vitit 2014, rreth 13 mijë njerëz janë vrarë në luftimet ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve rusë, të cilët kontrollojnë rajonin e Donetskut dhe Luhanskut.

Përmes një deklarate, ushtria ukrainase tha sot se situata në rajon “është përshkallëzuar ndjeshëm” në 24 orët e fundit, duke akuzuar rebelët se kanë përdorur armatim të rëndë, të cilat janë të ndaluara sipas marrëveshjes për paqe të arritur në Minsk.

Marrëveshjet e armëpushimit, që kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Minskut kanë kontribuar në reduktimin e luftimeve, por ato nuk kanë respektuar plotësisht.

Të dielën, 39 kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, por vetëm tre prej tyre, sipas sondazheve, kanë gjasa për fitore : presidenti aktual, Petro Poroshenko, ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, dhe aktori Volodymyr Zelenskyy.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk arrin të fitojë 50 për qind të votave në raundin e parë, dy kandidatët që kanë arritur të fitojnë më së shumti vota do të përballen në raundin e balotazhit, që është planifikuar të mbahet më 21 prill.

OPINIONE