Bota

Përse Uashingtoni e klasifikoi Gardën Revolucionare iraniane si terroriste nëpërmjet Departamentit të Thesarit dhe jo Departamentit të Shtetit (DASH)?

Trump përdori kompetencat e institucioneve të tij financiare dhe qëllimi më i thellë mund të jetë tharja e financave dhe ekzistenca e informacioneve të klasifikuara.

Një burim zyrtar i administratës së presidentit amerikan Donald Trump pohoi të premten për stacionin televiziv CNN se administrata Trump e ka klasifikuar Gardën Revolucionare iraniane si një “organizatë terroriste”. Kjo ka përkuar në kohë me shpalljen nga ana e Trumpit të strategjisë së tij të re ndaj Iranit dhe marrëveshjes bërthamore iraniane.

Burimi shpjegoi se administrata Trump këtë e bëri duke shfrytëzuar kompetencat e Departamentit të Thesarit Amerikan dhe jo nëpërmjet kompetencave të Departamentit Amerikan të Shtetit (Ministrisë së Jashtme). Teknikisht, kjo do të thotë se Garda Revolucionare nuk është klasifikuar si një “organizatë e huaj terroriste”, një term ky i DASH, por është klasifikuar si një “organizatë terroriste” nga ana e Departamentit të Thesarit.

Disa diplomatë perëndimorë kanë ngritur pikëpyetje rreth arsyeve që e kanë shtyrë administratën amerikane të shpallë klasifikimin e Gardës Revolucionare sipas standardeve të Departamentit të Thesarit dhe jo sipas atyre të Departamentit të Shtetit.

“Qëllimi i kësaj mase është që të thahen burimet financiare të Gardës Revolucionare, gjë që tregon se agjencitë sekrete amerikane disponojnë informacione të fshehta për këtë financim dhe se ky hap nuk është përshkallëzim ushtarak i drejtpërdrejtë kundër Gardës Iraniane, por një hap që lejon më shumë monitorim”, kanë pohuar disa ekspertë për “Ra’jul-Jeum”. Në të kaluarën, administrata amerikane ka përdorur të njëjtën formulë edhe për Hezbollahun libanez.

Presidenti amerikan Donald Trump, në fjalimin e shpalljes së strategjisë së tij, pretendoi se ajo synonte të parandalonte Iranin nga posedimi i armës bërthamore, mbështetja e terrorizmit dhe destabilizimi i Lindjes së Mesme.

“Strategjia jonë fillon me imponimin e sanksioneve të ashpra kundër Gardës Revolucionare Iraniane”, tha Trump.

Ai shtoi se nuk do ta miratonte marrëveshjen bërthamore iraniane dhe se Kongresi duhet ta studiojë atë për të marrë vendim nëse do të rivendosen mbi Teheranin sanksionet e pezulluara në bazë të marrëveshjes apo jo.

Pak para deklaratës së Trumpit, Irani paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos e ndërmerrnin hapin e klasifikimit të Gardës Revolucionare të Iranit si një organizatë terroriste, duke e konsideruar se kjo do të ishte një shpallje lufte.

Kreu i Organizatës Iraniane për Energji Atomike, Ali Akbar Salehi, tha se “çdo veprim nga Shtetet e Bashkuara për të klasifikuar forcat e Gardës Revolucionare të Iranit si një organizatë terroriste do të jetë e barabartë me deklarimin e luftës”.

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, gjeneral major Mohammad Ali Xhafari, kërcënoi se nëse Amerika vazhdon ta klasifikojë Gardën Revolucionare një “organizatë terroriste”, Irani do ta trajtojë ushtrinë amerikane nëpër botë, sidomos në Lindjen e Mesme, si një organizatë terroriste, si “ISIS”.

/”Ra’jul Jeum”/ PT

OPINIONE

INTERVISTA