Nga Agim Kasemi
Në mediat shqiptare, ato anti ruse si EURONEWS ALBANIA po shfaqet një fenomen shqetësues: individë që prezantohen si “analistë ushtarakë”, por që shpesh ofrojnë komente më shumë ideologjike sesa profesionale. Ndër ta, emri i Artur Meçollarit përmendet shpesh, pavarësisht se karriera e tij në Forcat Detare nuk njihet për arritje të mëdha, por për një profil që vështirë se e justifikon autoritetin që i jepet sot në ekran.
Deklaratat e tij të fundit mbi konfliktin Rusi–Ukrainë janë shembulli më i qartë. Meçollari ka marrë përsipër të gjykojë fuqitë botërore, që nga Vladimir Putini deri te Donald Trump, sikur të ishte një figurë me peshë strategjike globale. Ai del nëpër studio televizive duke shpërndarë analiza të njëanshme, të ngarkuara politikisht, që jo vetëm nuk ndihmojnë debatin, por e deformojnë atë.
Të thuash se “Rusia duhet ndëshkuar” nuk është analizë, është barrikadim emocional. Të shpallësh se “Amerika ka humbur moralin” pa asnjë argument profesional, është më shumë opinion personal sesa vlerësim ushtarak. Një ish-oficer i rangut të tij duhet të tregojë maturi, ekuilibër dhe kuptim të thellë të gjeopolitikës, jo të hedhë benzinë në zjarr në një moment kur Shqipëria ka nevojë për qetësi, maturi diplomatike dhe analiza të ndërtuara mbi fakte.
Mediat shqiptare kanë përgjegjësi të mos promovojnë zëra që nxisin tensione të panevojshme dhe minojnë marrëdhënie ndërkombëtare të rëndësishme. Në vend të populizmit të studio-ve televizive, publiku meriton ekspertizë të vërtetë, kompetencë, dhe mendim të ekuilibruar.
Shqipëria ka mjaft profesionistë seriozë, njerëz me autoritet real, të cilët dinë të bëjnë analizë të paanshme. Nuk ka arsye që hapësira mediatike t’u jepet personave që e shfrytëzojnë uniformën e dikurshme për të bërë tregti me sensacione politike.
Të mos zgjatem, debati publik ka nevojë për qartësi, jo për dramatizim; për argument, jo për gjuhë nxitëse; për profesionalizëm, jo për aventurizëm mediatik.
Mjafton me pseudo-analistët që flasin për gjeopolitikë siç flitet për thashetheme. Shqipëria meriton më mirë./gazetaimpakt



















