Përshkallëzohet konflikti mes Izraelit dhe Iranit, Putin telefonon Netanjahun dhe presidentin iranian Masoud Pezeshkian

Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, mes përshkallëzimit të tensioneve pas sulmeve ushtarake izraelite ndaj Iranit, sipas një deklarate nga Kremlini, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

“Presidenti rus shprehu ngushëllime udhëheqjes dhe popullit të Republikës Islamike të Iranit në lidhje me viktimat e shumta njerëzore, përfshirë edhe civilët, si rezultat i sulmeve izraelite”, thuhet në një deklaratë nga Kremlini.

Sipas deklaratës, Rusia “dënon veprimet e Izraelit të ndërmarra në shkelje të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”.

“Pala ruse mbështeti plotësisht përpjekjet për të zgjidhur situatën rreth programit bërthamor iranian në mënyrë paqësore, duke paraqitur iniciativa specifike që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin midis Iranit dhe Izraelit. Rusia do të vazhdojë të kontribuojë në uljen e tensioneve të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit.”

Në telefonatën e tij me Netanyahun, Putin tha se ishte jetike të kthehej në procesin e negociatave dhe të zgjidheshin “të gjitha çështjet që lidhen me programin bërthamor iranian ekskluzivisht me mjete politike dhe diplomatike”./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne