Një protestë në heshtje e 65 kontrollorëve të ‘AlbControl’ rrezikon që të bllokojë punën në aeroportin e Rinasit. 65 punonjës kanë firmosur deklaratën e paaftësisë së përkohshme për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë në punë, ndikuar edhe nga pandemia.
Mësohet se në total ‘AlbControl’ ka 69 kontrollorë; 37 punonjës aktiv, 18 në kullë dhe shefi i kullës si dhe 13 janë pjesë të administratës.
“Kemi qenë 5 punonjës që kemi plotësuar deklaratën e paaftësisë për punë. Pasi e kemi plotësuar, jemi telefonuar që të rikthehemi sërish në punë. Për 3 nga punonjësit u dha verbalisht pushim nga puna, ndërsa për 2 të tjerë erdhi shkresa zyrtare. Nga ana proceduriale në rast se një punëtor është i paaftë për punë nuk duhet të paraqitet në punë.”, -u shpreh një prej punonjësve të ‘Albcontrol’.
Mes të tjerash punonjësja e ‘AlbControl’ u shpreh se të gjithë kontrollorët janë të bashkuar dhe të vendosur që t’i shkojnë kësaj çështje deri në fund.