Bota

Peshkopi i Liverpulit kritikon përkrahësit e krishterë të Trumpit

Një peshkop në Angli ka kritikuar liderët fetarë amerikanë që mbështesin Donald Trumpin, duke thënë se ata nuk mund ta justifikojnë besimin e tyre të krishterë.

Në një intervistë për theguardian, Paul Bayes, peshkopi i Liverpulit tha se disa liderë ungjillorë kanë pranuar shumë gjëra të thëna nga presidenti amerikan dhe aleatët e tij, pa i kritikuar ato.

Ai tha se sistemi i tij po ngre mure dhe jo ura.

Trumpi ka thënë më parë se ishte krenar që ishte i krishterë.

Z. Bayes tha për gazetën: “Disa nga gjërat që janë thënë nga liderët fetarë janë me të vërtetë bashkëpunim me një sistem që po i trajton të varfërit si të pavlerë, me një sistem që po ndërton mure në vend të urave, me një sistem që i diferencon dhe i përjashton njerëzit në bazë të pozitës së atyre, me një sistem që thotë se nuk i mirëpret njerëzit më në vend.”

Aktualisht është i ndaluar udhëtimi dhe hyrja në SHBA për shtetasit e Çadit, Iranit, Libisë, Somalisë, Sirisë dhe Jemenit.

Presidenti amerikan mbështet gjithashtu një rregullim të imigracionit që i jep fund vizave për lotarinë amerikane dhe frenon refugjatët nga dhënia e rezidencës së përhershme.

Muajin e kaluar gjykata bllokoi, një urdhër presidencial që shkurtonte fondet për qytetet që refuzonin bashkëpunimin me zyrtarët e emigracionit dhe ndalimin që u bëhej personave transgjinorë që të shërbenin në ushtri.

Predikimi i Kryepeshkopit

Z. Bayes, i cili u bë Peshkopi i tetë i Liverpulit në vitin 2014, tha se njerëzit ishin të lirë të mbështesin populizmin e krahut të djathtë, por tha se këtu vihej në pikë pyetje besimi i krishterë.

“Sa herë që njerëzit thonë të tilla gjëra, ata mundohen ti justifikojnë me të qënurit i krishterë, ndërsa unë nuk besoj se kjo është e justifikuar”, tha ai.

Por peshkopi theksoi gjithashtu se jo të gjithë ungjillorët ishin përkrahës të Trumpit.

Ai po fliste gjatë nisjes së aktivitetit të Fondacionit Ozanne, një organizatë bamirëse që synonte eliminimin e diskriminimit bazuar në seksualitet dhe gjini.

Komentet e tij vijnë pas predikimit të Krishtlindjeve bërë nga kryepeshkopi i Canterburyit, Rev Justin Welby, i cili kritikoi “udhëheqësit populistë”, por nuk specifikoi emrin e Trumpit.

Papa Françesku tha se “një person që mendon vetëm që të ngrejë mure dhe jo ura, nuk është i krishterë”.

Në përgjigje të fjalëve të Papës, Presidenti Trump tha: “Për një lider fetar që ve në pikëpyetje besimin e një personi, kjo është e turpshme. Une jam krenar që jam i krishterë”./bbc/Gazeta Impakt

OPINIONE