Plani djallëzor i mazhorancës, si po tentohet të “kapet” Kontrolli i Lartë i Shtetit!

Një projektvendim që parashikon ngritjen e nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik” pranë komisionit të Financave në Kuvend ngre shqetësime se mund të përdoret si presion politik ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit.Kuvendi ka propozuar së fundmi ngritjen e një strukture të re parlamentare brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat punën audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioni më i lartë i kontrollit e konomik e financiar.

Projektvendimi për ngritjen e nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik” shpall si synim kryesor  zbatimin e buxhetit të shtetit dhe rritjen e ndikimit të proceseve të auditimit me qëllim rritjen e  transparencës dhe llogaridhënien në përdorimin e burimeve, por fusha kryesore e punës së tij do të jetë “llogaridhënia e KLSH në Kuvend”.

Kompetencat e parashikuara të nënkomisionit do të fokusohen tek raportet e qeverisë dhe KLSH-së për zbatimin e buxhetit të shtetit, shqyrtimi i raporteve të auditimit të KLSH-së, ndjekja e zbatimit të rekomandimeve dhe raportimi i gjetjeve, por dhe kontrolli i përdorimit të financave publike nga vetë ky institucion. Në këtë kontekst, llogaritë e KLSH do të auditohen nga kjo strukturë parlamentare nëpërmjet audituesve të jashtëm të kontraktuar prej saj. Nënkomisioni do të drejtohet në mënyrë bipartizane me bashkëkryetarë të shumicës dhe opozitës ndërsa në përbërje ka 5 anëtarë, ku shumicën e ka PS-ja.

Edhe pse deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë e kanë mbështetur propozimin, ata shfaqën mosbesim në qëllimet e mazhorancës dhe ngritën pikëpyetje për tentativa që të kontrollojnë këtë institucion të pavarur. Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, që ka shërbyer si kryetar i KLSH gjatë karrierës së tij, i tha BIRN-it se pavarësisht se standardet ndërkombëtare të auditimit i pranojnë dhe inkurajojnë këto struktura, me qëllim rritjen e përpjekjeve për zbatimin e rekomandimeve të institucionit suprem të auditimit, në rastin shqiptar ka një qëllim tjetër.

“Nuk është zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së qëllimi kryesor, por ndërhyrja në politikat dhe veprimtarinë audituese, çka cenon ndjeshëm pavarësinë e KLSH-së”, komentoi ai duke shtuar se “kjo në zbatim do të cenojë edhe standardet e auditimit”. Deputetja Jorida Tabaku mbështet të drejtën e Kuvendit për të pasur më shumë informacion për punën e KLSH, për raportet që ky institucion kryen për përdorimin e financave publike, por nga ana tjetër ka rezerva për sjelljen e mazhorancës ndaj këtij institucioni.

“Është në të gjithë të drejtën e tij që parlamenti ta bëjë këtë, po shqetësimi është që kjo mund të bëhet vetëm si rezultat i faktit që KLSH është duke krijuar shqetësime dhe përgjigjja e mazhorancës ndaj raporteve të këtij institucioni është kontrolli i vetë institucionit”, tha Tabaku. Për deputeten demokrate nënkomisioni synon të jetë “një lloj komisioni hetimor i kontratave konçensionare dhe raporteve të KLSH-së”,  pasi, sipas saj, parashikohet që ai të shqyrtojë edhe dhjetëra raporte periodike që KLSH kryen, përveç raporteve për zbatimin e buxhetit.

Por, Tabaku shtoi se, ka një ngërç në sjelljen e PS-së ndaj raportit të fundit vjetor të KLSH-së për zbatimin e buxhetit të shtetit, i cili nuk po analizohet sipas parametrave të pavarësisë institucionale në komisionin e Ekonomisë. “Në mbledhjen e fundit kryetari i komisionit bëri me dije se e ka dërguar këtë raport në shumë palë të jashtme dhe ka marrë prej tyre një sërë pyetjesh, që për ne kjo cenon pavarësinë e institucionit”, tha ajo.

Nga ana e tij kryetari socialist i komisionit Eduard Shalsi e cilësoi procesin e mbledhjes së pyetjeve si një praktikë që i shërben transparencës dhe i vuri në dispozicion BIRN-it një listë me mbi 60 pyetje që presin përgjigje nga kryetari i KLSH-së, Arben Shehu në raportimin në komision që pritet të mbahet javën që vjen. Në raportin e performancës së qeverisë në zbatimin e buxhetit për vitin 2023 mbi të cilin do të raportojë Shehu, është konstatuar nga KLSH një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023.

Shehu, që drejton këtë institucion që prej korrikut 2020, e cilësoi nënkomisionin e ri si një instrument që do të shërbejë në përshpejtimin e zbatimit të rekomandimeve që KLSH cakton institucioneve publike të audituara”. “Punën e nënkomisionit e shohim në planin e përgjithshëm të nxitjes së zbatimit të këtyre rekomandimeve, përmirësimin e punës së institucionit dhe shpresoj që fokusi të jetë tek ndërveprimi mes Kuvendit dhe KLSH në funksion të zbatimit të tyre”, tha ai nëpërmjet një bisede telefonike.

Por, i pyetur nëse ishte i shqetësuar se puna e nënkomisionit mund të cenonte pavarësinë e KLSH-së, Shehu paralajmëroi se ; “nëse ne do të shohim se ka tendenca për cenimin e pavarësisë së punës tonë do të ndjekim të gjithë instrumentet që kemi në dorë, duke vënë në dijeni dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”./BIRN

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne