Nga Elmas Bogdani
Për herë të parë pasi u mor i pandehur, deputeti socialist Plarent Ndreca u paraqit dje në Prokurorinë e Posaçme. Ligjvënësi i PS ishte në SPAK për rreth 4 orë, ndërsa është marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tenderë. Ai u paraqit rreth orës 13:00 në SPAK dhe doli rreth orës 17:00, ndërsa mësohet se deputeti ka kërkuar vetë të paraqitet në SPAK, pasi është njohur me përfundimin e hetimeve ndaj tij për të dhënë sqarime. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Ndreca nuk dha detaje për gazetarët, por tha se do të flasë në momentin e duhur pasi çështja është ende në hetim. “Në cilësinë e personit që vijon ende hetimi. Do shprehem në momentin që duhet të shprehem. E kam lexuar dhe do shprehem në atë moment që unë konsideroj se është e duhura. Mos u nxitoni, do shprehem në momentin e duhur. Çështja konsiderohet si çështje akoma në hetim”, tha Ndreca pasi doli nga SPAK.
Ai u mor i pandehur nga SPAK më 25 tetor 2024 për shkelje të barazisë në tenderë gjatë kohës kur ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme (korrik 2019-shtator 2020). Ndreca akuzohet lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend. Në lidhje me këtë tender SPAK u vu në lëvizje nga një kallëzim i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera. Po ashtu, sipas KLSH-së ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Por këto nuk janë të vetmet gjetje të KLSH.
Skandali tjetër i KLSH për Plarent Ndrecën
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditin e fundit në Ministrinë e Brendshme, të finalizuar në korrik të 2024, nxjerr zbuluar shkelje, ku më e rënda është tek vendimi i transferimit të pronës së godinës së Qendrës së Automjeteve të Policisë së Shtetit, e njohur edhe si QSHAMT, ku përgjegjës për skandalin është Plarent Ndreca, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Gazeta “SOT” e cila ka në dorë raportin ka nxjerrë këto ditë shkeljet që ka evidentuar KLSH, që nga standardizimi, dhe se vendimet mbi transferimin e pronës së QASHMT janë marrë në mënyrë të menjëhershme, ad hoc; në mungesë të një kuadri strategjik në lidhje me menaxhimin e aseteve, të rregulloreve specifike me procedura standarde (ligjore dhe administrative) për kategorizimin dhe rastet e transferimit dhe tjetërsimit të pronave publike, (për të garantuar kontroll të pavarur dhe korrekt të procedurave për menaxhimin e këtyre pronave); mungojnë mekanizmat që shpjegojnë e argumentojnë efektshmërinë dhe efikasitetin e procedurave, domosdoshmërinë dhe logjikën që qëndron pas vendimeve të marra për menaxhimin e këtyre pronave si dhe transparencën publike.
Tjetërsimi i pronave publike
Në raportin e KLSH evidentohet se bashkë me abuzimet për godinën, del edhe skandali i ndryshimit të pronësisë shtetërore në pronë private. Prona shtetërore prej 28,452 m² i kaloi fillimisht Ministrisë së Financave për administrim, por më vonë u privatizua. Procesi i privatizimit përfshiu edhe sipërfaqe të tjera që nuk duhej të ishin përfshirë, si toka dhe objekte në proces privatizimi. Prona iu shit disa trashëgimtarëve dhe personave privatë me çmim total 348 milionë lekë. Megjithatë, raporti sugjeron se ky privatizim ka ndodhur me shkelje ligjore, pasi prona nuk ishte përdorur për funksionin e saj të parashikuar.
“Transferimi dhe kalimi në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave/Ndërmarrja Industriale Nr.1 të pronës prej 28,452 m2 nga MB/QASHMT është kryer me datën 21.11.2019 sipas vendimit nr. 528, datë 25.07.2019, për sipërfaqen totale 28,452 m2, por nuk ka gjetur zbatim vendimi nr. 529, datë 25.07.2019 i KM, për kalimin në përgjegjësi administrimi të MB-së, pasuritë me nr. 3/771, 3/772, 3/773, 3/774, zona kadastrale 8240, me sipërfaqe totale 4,122 m2 dhe se kjo pronë nuk është në funksion të DMMT pasi për kryerjen e funksioneve ky institucion nuk e ushtron veprimtarinë e tij në pronën e transferuar sipas VKM nr. 529, datë 25.07.2019, por në një pronë tjetër me nr. rendor 180 me emërtimin “Policia Ushtarake (Reparti Ushtarak nr. 6620)” me vendndodhje në Sauk, Tiranë”, ku QSHAMT-ja ka zhvilluar dhe vazhdon aktivitetin e saj pranë Akademisë së Sigurisë, sipas Urdhrit nr.158 datë 23.08.2022 të ish Ministrit të Brendshëm.
Dokumentacionet
Referuar dokumentacionit të administruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila ka hartuar projektvendimet e Këshillit të Ministrave, rezulton se pasuria e kaluar në përgjegjësi administrimi të MFE/Ndërmarrja Industriale Nr. 1 të pronës prej 28,439.8 m2 nga MB/QASHMT, me datën 21.11.2019 sipas vendimit nr. 528, datë 25.07.2019, është privatizuar, sipas kontratës datë 30.06.2020 të lidhur ndërmjet: Pala shitëse: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike i përfaqësuar me autorizimin Nr. 17612, date 02.10.2019, nga Zoti N S, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Shitjes, dhe Ndërmarrja Industriale Nr. 1 e përfaqësuar nga Znj. E P, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes Industriale nr. 1, Tiranë, dhe Pala blerëse: 1. Trashëgimtarët e subjektit të M LI, 2. Trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar H B (R) dhe Z A (R), 3. Trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar Z A, 4. Trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar MB, 5. Trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar B Xh, 6. V D, shtetase shqiptare, banuese ne Rrugën e Kavajës Tiranë, madhore dhe me zotësi të plotë juridike për të vepruar. 7. KD, shtetas shqiptar banues në Tiranë, i identifikuar madhor e me zotësi të plotë juridike për të vepruar.
Gjithashtu shtetasve V D dhe K D, u shitet edhe sipërfaqja nën objekt dhe funksionale prej 3765.85 m2 e objektit në proces privatizimi, e cila në bazë të kufirit të pronës të përcaktuar në Relacionin tekniko hartografik në të cilën është pasqyruar prona e ish-pronarëve të truallit si dhe objektit në proces privatizimi, ndodhet jashtë kufirit të pronës së ish-pronarëve te sipërpërmendur. Në objektin e kontratës citohet se: Sipërfaqja gjithsej e objekteve të “Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Transportit” të ndodhura në Tiranë është 28,095 .6 m2 dhe sipërfaqe nën objekt 10,862.58 m2. Trualli me Nr. Pasurie 6/145 me sipërfaqe 463 m2 i cili rezulton i regjistruar në pronësi të shoqërisë “P”dhe ndodhet brenda sipërfaqes së përgjithshme prej 28 095.6 m2 nuk përfshihet në privatizim. Çmimi i shitjes së objektit bashkë me sipërfaqen e truallit prej 3765.85 m2, në total është 348,103,114 lekë nga e cila 232,178,953 lekë vlera e mjeteve kryesore dhe 115,924,161 lekë për truallin me sipërfaqe 3765.85 m2. Kjo vlerë është paguar pjesërisht nga pala blerëse, për llogari të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Tiranë, sipas kushteve të vendosura në Autorizim për kryerjen e pagesave të objekteve të “Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit” të ndodhura në Tiranë, Nr: 11382 Prot. datë 17.06.2020, duke ndryshuar të drejtën e pronësisë shtetërore në pronë private. Për sa konstatohet në situatën e mësipërme ka përgjegjësi: 1. Z. Plarent Ndreca me detyrë, ish Sekretar i Përgjithshëm i MB”, thuhet në raportin e KLSH./sot