Qeveria socialiste nuk ka pasur raporte të mira me republikanët dhe sidomos kryeministri Edi Rama me presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump. Gjatë fushatës në vitin 2016, Rama bëri deklarata të ashpra kundër Trump, duke e cilësuar fitoren e tij si një kërcënim të madh për SHBA dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Ai mbështeti hapur Hillary Clinton dhe ishte ndër të parët liderë europianë që doli kundër Trumpit, duke shprehur shqetësim për ndikimin e politikave të tij në Ballkan dhe specifikisht për qëndrimet e tij për Kosovën dhe komunitetet myslimane.
Gazeta e raportoi në një artikull të fundit se kryeministri ishte përgatitur që të fitonte Kamala nisur nga sondazhet që e nxirrni triumfuese, duke përfshirë një promovim të librit të Kamala Harris në Tiranë, ku parathënia ishte shkruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Megjithatë, kur surpriza “Trump” ndodhi, dhe ky i fundit u zgjodh president, entuziazmi i Ramës dhe i njerëzve të tij u shua, teksa i la ata përballë një realiteti të hidhur, të cilin, duket se, nuk e kishin parashikuar. Pas fitores së Trump dhe ndryshimit të prirjeve në politikën e jashtme të SHBA-së, Edi Rama mund të humbasë mbështetjen nga administrata amerikane, e cila ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të qeverisë së tij. Zhvillimet e fundit tregojnë se kryeministri është i gatshëm të luajë çdo kartë, madje të gjejë mbështetje te armiqtë e SHBA.
Rama në tryezë me Lukashenkon
Katër ditë më parë, Edi Rama njoftoi se kishte qenë pjesë e një darke informale, gjatë qëndrimit në Azerbajxhan, i ftuar nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Në postimin që bëri në rrjetet sociale, Rama e quajti sheikun arab një mik të mirë të Shqipërisë dhe shpërndau foto nga darka. Por në darkën informale që organizoi presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka marrë pjesë edhe presidenti i Bjellorusisë, aleati i ngushtë i Putinit në luftën ndaj Ukrainës, Aleksandër Lukashenko. Pamjet e këtij të fundit mungojnë në fotot që Rama përzgjodhi të ndajë me publikun, por ato janë publikuar nga agjencitë përkatëse të presidencës së Emirateve dhe të Bjellorusisë.
Nga fotot shihet se në krahun e majtë të emirit arab është ulur Edi Rama, ndërsa në krahun e tij të djathtë qëndron autokrati bjellorus, Aleksandër Lukashenko, bashkëpunëtori i afërt i Vladimir Putinit. Takimi me Lukashenkon shihet si një përpjekje e Ramës për të ndërtuar një urë komunikimi me Kremlinin. Në këtë mes ka dy skenarë. Trump mund të ndryshojë kursin e politikës së jashtme amerikane, përfshirë qëndrimin ndaj Rusisë, dhe afrim i mundshëm i Ramës me Moskën dhe aleatët e saj mund të jetë si një plan i kryeministrit për t’i shpëtuar “ciklonit” amerikan. Por ky veprim mund ta izolojë edhe më shumë Shqipërinë nga Perëndimi, por edhe të krijojë një klimë pasigurie dhe destabiliteti në rajon.
SHBA e ka futur në rrethin e kuq Ramën dhe Brukseli me korrupsionin galopant që sa vjen dhe shtohet nuk ka ndërmend që të integrojë Tiranën në BE, sidomos me një qeveri që gjysmën e saj e ka në burg dhe gjysmën tjetër me dosje. Goditja që SPAK bëri ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Ilir Metës paralajmëron se të njëjtin fat mund të pësojë dhe Edi Rama. Edhe vizita e tij e fundit në New York tregoi se marrëdhëniet midis kryeministrit shqiptar dhe SHBA janë në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër në raport me të vetmin aleat strategjik në 30 vitet e fundit. Me ardhjen e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, situata e kryeministrit mesa duket do të vështirësohet edhe më shumë./sot