Policia arreston 3 protestues dhe shpall në kërkim 8 të tjerë

Pas përplasjes së dhunshme në protestën për vrasjen nga një punonjës i policisë të 25-vjeçarit Klodian Rasha, policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 3 personave, shpalljen në kërkim të 8 të tjerëve dhe nisje procedimi për 4 të mitur. Policia në Durrës po ashtu njoftoi nisjen e procedimit ndaj dy organizatorëve të një manifestimi atje.

Policia e Tiranës dhe ajo e Durrësit njoftuan të enjten nisjen e procedimeve penale ndaj organizatorëve të protestave për vrasjen e Klodian Rashës. Në një njoftim për shtyp Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 3 personave dhe shpalljen në kërkim të 8 të tjerëve. Policia thotë se i ka freferuar të arrestuarit dhe personat e shpellur në kërkim për 6 akuza.

“U arrestuan në flagrancë, persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetesise publike” “ Shkaterrimit të pronës me zjarr” dhe” Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” shtetasit : R.P., 21 vjeç, banues në Tiranë, A.K., 29 vjeç, banues në Durrës dhe V.K., 23 vjeç”, njoftoi policia e Tiranës. 8 persona të tjerë u shpallën në kërkim për të njëjtat akuza.

Ndërkohë policia në Durrës njoftoi nisje të procedimit për 2 persona për akuzën e “Organizimit të tubimit të paligjshëm”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasit A. B., 30 vjeç dhe Sh. M., 26 vjeç, banues në Durrës”, njoftoi policia e Durrësit.

Protestat në disa qytete ndodhën pas vrasjes nga policia e një 25-vjeçari në Tiranë. Klodian Rasha u qëllua nga një punonjës i policisë, pasi refuzoi urdhërin për të ndaluar. Punonjësi i policisë u arrestua dhe akuzohet për vrasje në “tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes”. Pas disaa njoftimeve kontradiktore, policia e cilësoi vrasjen të mërkurrën si një “Episod i papranueshëm”.

Ndërkohë në Tiranë protestuesit që kërkonin dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, u përplasën me policinë në hyrje të Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrisë. Protestues sulmuan policinë me pllaka nga bulevardi, ndërsa ajo u përgjigj me kundërgaz. Përleshjet vijuan për disa orë në rrugë të kryeqytetit, ndërsa policia i akuzon protestuesit për shkatërrim të zbukurimeve të festave dhe disa mjeteve të policisë.

Policia njoftoi se ishte sulmuar me sende të forta dhe lëndë piroteknike dhe se 16 punonjës të saj ishin lënduar, ndërsa paralajmëroi kundër pjesëmarrjes në tubime të ngjashme, të cilat tha se nuk do të lejoheshin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne