POLICIA PROCEDON 19 PROTESTUES, THIRREN PËR DEKLARIM EMRAT QË DYSHOHET SE NXITEN MARSHIMIN DREJT RINASIT

Policia e Tiranës ka nisur procedime penale ndaj 19 personave pas protestës që u zhvillua mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, e cila kulmoi me marshimin e mijëra qytetarëve drejt aksit rrugor që lidh Tiranën me Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Sipas autoriteteve, gjatë tubimit janë bërë thirrje për zhvendosjen e protestës nga qendra e Tiranës drejt Rinasit, gjë që solli një bllokim të përkohshëm të trafikut në segmentin rrugor që të çon në aeroport.

Ndër personat e thirrur për të dhënë shpjegime është edhe aktivistja Luciana Kokaj, e cila deklaroi se kishte qenë në komisariat për të dhënë sqarime lidhur me zhvillimet e protestës. Ajo theksoi se kishte qenë pjesë e grupit që mori nismën për organizimin e protestave që në ditën e parë, por mohoi të ketë pasur rol organizativ.

Gent Progni, i konsideruar si një nga figurat më të spikatura të protestave të fundit, i akuzuar dje nga protestuesit si nismëtar i marshimit drejt aeroportit, është thirrur gjithashtu për të dhënë deklarime. Gjatë marshimit, disa protestues e akuzuan se kishte nxitur lëvizjen drejt Rinasit, gjë që ai pretendon se e ka mohuar. Progni u shpreh se qëllimi i protestuesve nuk ishte bllokimi i aeroportit.

Ndër personat e kontaktuar nga policia janë edhe Arben Kola nga Kukësi, i cili udhëhoqi marshimin nëpër rrugët e Tiranës, si dhe Arlinda Lleshi nga Lezha. Të dy konsiderohen pjesë e grupit nismëtar të protestave që po zhvillohen prej disa ditësh në kryeqytet.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me organizimin e marshimit dhe bllokimin e trafikut në rrugën që lidh Tiranën me aeroportin./JOQ

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne