Prej tetë ditësh në karantinë, gazetari konfirmohet me Covid-19, përgjigja e testit katër ditë me vonesë

Këtë herë jo për të raportuar ngjarjet, por i izoluar në një dhomë të shtëpisë së tij ku jeton me të ëmën, tre vajzat dhe bashkëshorten.

Gazetari i ABC News në Lezhë, Gjergj Figuri, më në fund arriti të marrë përgjigjen e tamponit për Covid-19, katër ditë pasi kreu testin.

Sot gazetari Figuri nga përgjigja e testit ka rezultuar pozitiv për koronavirus.

Nga e mërkura, kur iu nënshtrua testit e deri këtë të dielë, ai ka qëndruar në ankth për analizën pasi askush nuk i jepte përgjigje.

Ai ka njoftuar se gjendja shëndetësore është e qëndrueshme ndërsa ka qëndruar i vetëkarantinuar në banesën e tij gjatë gjithë këtyre ditëve.

Një ditë më parë gazetari Gjergj Figuri denoncoi vonesën e përgjigjes së tamponit në ekranin e ABC News duke treguar të gjithë peripecitë.

Figuri publikoi të gjithë telefonatat e kryera me përfaqësues të katër institucioneve të shëndetësisë.

Asnjë lajm nuk mori nga urgjenca mjekësore kombëtare cila i bëri të ditur se duhet të drejtohej në spitalin e Lezhës aty e ku kreu tamponin.

Po spitali i Lezhës nuk i hapi telefoni po kështu dhe ISHP ku bëhen analizat.

Gjatë rrëfimit Figuri tha se shenjat e para të dyshimit për Covid-19 i ishin shfaqur ditën e shtunë e prej këtij momenti ishte vetëizoluar.

Pasi kontaktoi me mjekun e familjes, ky i fundit i sugjeroi të merrte mjekim për dhembje muskulare dhe ibubrofen.

Të hënën gazetari pati temperaturë të lartë e në këto kushte, mjeku i familjes, pasi u interesua në njësinë e kujdesit shëndetësor caktoi ditën për tamponin.

Të mërkurën shkoi në spital ku dhe ju mor tamponi për Covid-19 por duhet të kalonin 4 ditë dhe vetëm të dielën arriti të marrë përgjigjen nga e cila rezultoi pozitiv.

Ai bën me dije se gjatë këtyre 8 ditëve dhe pse pa përgjigje tamponi, është përpjekur tu qëndrojë strikt rregullave të karantinës në dhomën e tij, për shkak të frikës për përhapjen e virusit në familje, veçanërisht te e ëma.

Bëhet me dije se familjarët e tij janë mirë deri tani dhe nuk kanë shfaqur shenja të Covid, ndërsa vetë gazetari vazhdon të qëndrojë në karantinë./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne